fbpx

Zëvendës ambasadorja e SHBA-së: Jemi me fat që kemi partneritet kaq të fortë me Kosovën

HomeLajmeKosovë

Zëvendës ambasadorja e SHBA-së: Jemi me fat që kemi partneritet kaq të fortë me Kosovën

Zëvendësambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Alyson Grunder, ka bërë homazhe përkujtimore te memoriali “Kosova kujton”, kushtuar viktimave të 11 shtatorit, së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Grunder tha se është thellësisht mirënjohëse ndaj solidaritetit të Kosovës për këtë ceremoni në kujtim të 21 vjetorit të sulmeve të tmerrshme që ndodhën në Kullat Binjake.

“Dëshirojmë të falënderojmë presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe ministren e Jashtme që janë këtu për të nderuar viktimat“, tha zëvendës ambasadorja, transmeton Klankosova.tv.

“Në atë ditë të kobshme të 11 shtatorit, unë kam qenë në New York, duke shërbyer në misionin e ShBA-së në Kombet e Bashkuara. Mund ta paramendoni se çfarë tronditje kishim. Si është e mundur që një qenie njerëzore të paramendojë apo të planifikojë sulme aq të urrejtshme, të cilat qëllimin e vetëm e kishin që të merrnin sa më shumë jetë të njerëzve të pafajshëm”, u shpreh tutje ajo.

Megjithatë, Grunder tha se pas atyre ditëve të kobshme, ata panë mbështetjen dhe solidaritetin nga vendet aleate, përfshirë Kosovën.

“Në të njëjtën kohë, pas atyre ditëve ne e pamë të gjithë atë dashuri, mbështetje dhe solidaritet që u shpreh jo vetëm nga amerikanët, por edhe nga partnerët dhe aleatët nga i tërë globi, përfshirë edhe Kosovën”.

Sa i përket dërgimit të një cope metalike nga Kullat Binjake në Pejë, Grunder tha se ky është vetëm simbol i lidhjes të forta që kanë populli i Kosovës dhe populli i ShBA-së i ndajnë së bashku,

“Jemi me fat që kemi një partneritet kaq të qëndrueshëm dhe të fortë me Kosovën”, përfundoi zëvendësambasadorja.

x