fbpx

Zëdhënësi Price: Kurtit i kërkuam privatisht edhe publikisht shtyrje të afatit për targa, jo implementim në faza

HomeLajmeKosovë

Zëdhënësi Price: Kurtit i kërkuam privatisht edhe publikisht shtyrje të afatit për targa, jo implementim në faza

Në një konferencë të mbajtur për media para pak minutave, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën dhe këshillën e aleatëve më të ngushtë ndërkombëtar për çështjen e zgjatjes së afatit për implementimin e vendimit për targat.

Price po ashtu ka deklaruar se SHBA-të bashkë me partnerët tjerë e kanë bërë të qartë se kërkojnë një shtyrje të plotë.

“E kemi bërë të qartë që Kosova duhet ta shtyjë periudhën e implementimit. Jemi të dëshpëruar dhe të shqetësuar që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën dhe këshillën e partnerëve më të ngushtë ndërkombëtar për implementimin”, deklaroi ai.

Price tutje është pyetur për vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës për të ndarë në disa faza implementimin e një vendimi të tilla, teksa tha se SHBA-ja ka qenë e qartë edhe publikisht por edhe privatisht dhe se kanë kërkuar shtyrje të plotë të afatit për targat.

Duhet përkujtuar që Qeveria e Kosovës kishte vendosur që afati për targat të përfundojë sot, por më pas ky vendim u shndërrua në diçka tjetër.

“Ne kemi qenë të qartë edhe publikisht edhe privatisht që SHBA bashkë me aleatët tjerë kërkojnë shtyrje të plotë të implementimit. Ne s’kërkojmë implementim të pjesshëm apo implementim në faza. Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova një shtyrje të plotë të implementimit”, ka thënë Price duke shtuar se diskutimet po vazhdojnë ende.

Qeveria e Kosovës si fillim pati vendosur datën 31 tetor që të jetë e fundit si mundësi që serbët të konvertojnë këto targa, por më pas gjithçka ndryshoi pas kërkesave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian.

Të njëjtit kanë kërkuar që ky afat të hiqet, ndërsa Qeveria e Kosovës mori vendim që pas datës 31 tetorit të nis qortimi ndaj serbëve të cilët nuk ndërrojnë këto tabela, pas kësaj nga data 21 nëntor deri më 21 janar, të gjitha pronarët e automjeteve të cilat kanë targa serbe në Kosovë, do të gjobiten me nga 150 euro.

Në kuadër të planit të ri të qeverisë, nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor do të ketë masë qortuese për serbët kurse nga data 21 nëntor deri më 21 janar, do të ketë gjoba.

Përpos kësaj, pas këtij afati parashihet që serbët të kenë mundësinë e vendosjes së targave provuese, e pas 21 prillit në Kosovë nuk do të mund të qarkullojnë makinat me këto targa të lartcekura.