Zbulohet plani i Vuçiqit nga viti 2006 për destabilizimin e Malit të Zi, ja çfarë thoshte aso kohe presidenti serb

2 minutes, 0 seconds Read

Tetë ditë pas referendumit, në vitin 2006, presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për TV Elmag pati thënë se do të punojë për “krijimin e një shteti të përbashkët përsëri pas 10 apo 20 vjetësh”. E kishte fjalën për ribashkimin e Serbisë me Malin e Zi, pasi që ky i fundit e shpalli pavarësinë në vitin 2006 bazuar në referendumin gjithëpopullor.

Një video nga intervista e Vuçiqit, në Facebook është shpërndarë nga gazetari dhe ish-shefi i Byrosë Qeveritare për Marrëdhënie me Publikun, Sërgjan Kusovac.

Vuçiq më pas deklaroi se “dy vëllezër nuk mund të ndahen”.

“Gjërat do të shkojnë keq. Milo Gjukanoviq mendon se ka arritur një fitore afatgjatë dhe historike. Shembulli i Republika Serbe tregon se ata nuk kanë arritur të bëjnë asgjë. Për njëmbëdhjetë vjet, procesi i gjoja pajtimit dhe përballjes me të kaluarën po ndodh për ta dhe ata kurrë nuk kanë qenë më të largët nga njëri-tjetri. Dhe serbët nga Republika Serbe kurrë nuk kanë qenë më afër popullit tonë në Serbi. E njëjta gjë do të ndodhë në Mal të Zi”, thoshte Vuçiq në atë kohë.

“Ata me siguri do ta njohin me forcë pavarësinë e Malit të Zi, do t’i japin një vend në Kombet e Bashkuara”, ka shtuar Vuçiq.

Ai tha atëherë se pas 10 apo 20 vjetësh do të punonte për krijimin e një shteti të ri të përbashkët përmes referendumit.

“Sepse qëllimi ynë është të jetojmë së bashku, jo të ndarë”, tha Vuçiq në atë kohë.

Mirëpo, kur kanë kaluar 17 vjet nga pavarësimi i Mali të Zi, Vuçiq po vazhdon me përpjekjet e tij destruktive për ta zhbërë këtë shtet. Bashkë me satelitet e tij në Podgoricë dhe me ndihmën e Rusisë, presidenti serb i ka edhe “tri vjet” që t’ia arrijë këtij qëllimi.

Situata në veri të Kosovës dhe ajo aktuale në Mal të Zi, pa dyshim që lidhen me planet e Vuçiqit dhe të Rusisë që këtë pjesë të Ballkanit ta mbajë të tensionuar që në një moment të mund të përfitojnë për ndryshime të mundshme në këto dy shtete.

Publikime te ngjashme