Zbulimi i depozitës së madhe të ‘elementeve të rralla të tokës’ në Suedi – çfarë do të thotë kjo?

6 minutes, 10 seconds Read

Kompania shtetërore suedeze e minierave LKAB njoftoi të enjten se kishte gjetur më shumë se një milion ton okside të rralla të tokës në Kiruna, në veri të Suedisë.

Elementet e rralla të tokës, të njohura edhe si metale të rralla të tokës ose okside të rralla të tokës, janë një grup prej 17 metalesh të rënda që kanë një gamë të gjerë përdorimesh komerciale dhe industriale. Ato kanë një rëndësi të veçantë për tranzicionin e gjelbër, pasi nevojiten për prodhimin e turbinave me erë dhe automjeteve elektrike, raporton Deutsche Welle, përcjell Telegrafi.

Megjithatë BE-ja është shumë e varur nga importimi i tyre ose komponimeve për të cilat nevojiten.

Jan Mostrom, CEO i LKAB, tha në një deklaratë se zbulimi ishte një lajm i mirë për “Evropën dhe klimën”, duke shtuar “se mund të bëhet një bllok i rëndësishëm ndërtimi për prodhimin e lëndëve të para kritike që janë absolutisht thelbësore për të mundësuar tranzicionin e gjelbër”.

Ekspertët thonë se sasia e gjetjes ende duhet të verifikohet, por vlerësimi i kompanisë prej 1 milion ton do ta bënte atë më të madhin e këtij lloji në Evropë.

A është kjo një befasi e madhe?

Në të vërtetë jo. Depozita, e quajtur “Per Geijer”, ndodhet në pjesën suedeze të Rrethit Arktik, që është e njohur me minerale të rralla të tokës për disa dekada.

LKAB tashmë drejton minierën më të madhe të mineralit të hekurit në Evropë dhe kërkimi për elementet e rralla të tokës në Kiruna është publikuar gjerësisht.

Sa janë të rralla këto ‘elemente të rralla të tokës’ dhe kush është e pasur me to?

Pavarësisht emrit, elementet e rralla të tokës janë të shumta në shumë pjesë të botës, por minimi dhe nxjerrja e tyre është jashtëzakonisht komplekse dhe e kushtueshme. Mund të jetë gjithashtu shumë e dëmshme për mjedisin.

Sasi të mëdha kanë Kina, Vietnami, Brazili dhe Rusia. Ndërsa sa i përket rafinimit dhe përpunimit të këtyre elementeve janë Kina, SHBA-ja, Myanmar dhe Australia.

Në Evropë, ka pengesa të rënda rregullatore për minimin dhe prodhimin e lëndëve të para kritike dhe aktualisht nuk minon elementet e para të rralla të tokës. Si rezultat, BE-ja është shumë e varur nga vendet e tjera për to.

Kjo është bërë një çështje kryesore politike duke pasur parasysh se si BE-ja dëshiron t’i japë fund varësive tregtare nga Kina dhe Rusia dhe të nxisë teknologjitë e saj për energji të pastër për të arritur qëllimet e saj klimatike. Akti i Reduktimit të Inflacionit prej 369 miliardë dollarësh (340 miliardë euro) në SHBA, i cili jep subvencione masive për teknologjitë për energji të pastër, ka rritur gjithashtu presionin ndaj BE-së.

Pra, sa e rëndësishme mund të jetë kjo gjetje për Evropën?

“Pretendimet e larta janë të shumta sa herë që njoftohet një depozitë e re e elementeve të rralla të tokës, është e rëndësishme të shikohen të dhënat”, tha për Deutsche Welle, Julie Klinger, profesoreshë e gjeografisë në Universitetin e Delaware.

“Nëse i hedh një vështrim lajmeve në lidhje me depozitat e këtyre elementeve në Grenlandë, Korenë e Veriut, Afganistan, Turqi, fundin e oqeanit, Hënën: për të gjitha thuhet se janë depozitat më të mëdha ose një nga të mëdhatë”, shtoi ajo, duke theksuar nevojën që kjo gjetje në Evropë të verifikohet.

Nabeel Mancheri, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Globale të Industrisë së Elementeve të Rralla të Tokës, thotë se nevojitet shumë më tepër punë për të përcaktuar cilësinë e depozitës.

“Në aspektin ekonomik, këto ende nuk janë ‘rezerva’. Duhet bërë ende shumë shpime, shumë testime dhe nuk ka informacion të plotë se çfarë cilësie ka klasa e xehes”, tha ai për DW-n.

Klinger thotë se gjetja potencialisht mund të përfundojë si një burim alternativ për nevojat e Evropës për elementet e rralla të tokës, por tha se do të duheshin 10 deri në 15 vjet për të zhvilluar një minierë, e cila është në përputhje me vlerësimet e vetë kompanisë.

“Kjo nuk është vetëm për shkak të lejes, megjithëse shpesh i vihet faji. Është një arritje monumentale ndërtimi dhe inxhinierike për të hapur një minierë të re”, tha ajo.

Çfarë duhet të bëhet tani?

Në mënyrë që LKAB të shfrytëzojë zbulimin, ata do të duhet të bëjnë një ndryshim në mënyrën se si BE-ja i qaset çështjes së minimit për lëndë të tilla të para.

“BE-ja ka kohë që e ka hedhur poshtë minimin si diçka, që ‘nuk duhet të bëhet në oborrin tonë’”, tha Mancheri.

CEO i kompanisë LKAB, Mostrom thotë se shpreson që proceset e rrepta të lejeve për minimin brenda BE-së mund të përshpejtohen në mënyrë që kompania të sjellë më shpejt materialet e gatshme në treg.

“Nëse vërtet duam të ndjekim tranzicionin e gjelbër, ne duhet të gjejmë mënyra për ta përshpejtuar këtë proces në mënyrë thelbësore”, tha ai në një konferencë shtypi.

Komisioni Evropian aktualisht është duke punuar për uljen e barrierave për minimin dhe prodhimin e lëndëve të para kritike për tranzicionin e gjelbër.

Megjithatë, Mancheri thotë se krijimi i një industrie për minim është ende vetëm gjysma e punës.

“Pasi të keni procesin e minimit, ju duhet gjithashtu të krijoni industrinë e përpunimit”, tha ai, duke iu referuar proceseve komplekse dhe jashtëzakonisht intensive të energjisë të izolimit dhe përpunimit të elementeve të rralla të tokës.

A do të përdoren elementet e rralla të tokës vetëm për tranzicionin e gjelbër?

Ekspertët thonë se kjo është një pyetje kritike, pasi këto elemente përdoren gjithashtu në shumë industri ndotëse.

“Megjithëse shumica e njoftimeve për shtyp theksojnë rëndësinë e elementeve të rralla të tokës për teknologjitë e energjisë së rinovueshme, këto elemente janë gjithashtu të rëndësishme për rafinimin e naftës dhe janë të rëndësishme për aplikimet ushtarako-industriale”, tha Klinger.

“Aktualisht nuk ka asnjë politikë në fuqi, në BE apo gjetkë, që mbron materialet e minuara në emër të ndryshimeve klimatike nga kapja nga sektorë të tjerë, më pak miqësorë ndaj klimës. Edhe kompania LKAB shtetërore suedeze, apo ndonjë kompani tjetër për minim për këtë çështje, nuk i kërkohet t’ia shesë prodhimin e saj firmave në sektorin e teknologjive të energjisë së rinovueshme”.

Ajo thotë se nëse firmat për minim si LKAB do të kërkojnë që të përshpejtohet procesi i lejeve për ta në emër të luftimit të ndryshimeve klimatike, duhet të ketë rregulla të BE-së që parandalojnë që prodhimi të shkojë në sektorë jo-të gjelbër./Telegrafi

Publikime te ngjashme