fbpx

Vuçiq: QUINT-i dhe BE-ja thonë se veprimi i Kosovës për targat është në përputhje me marrëveshjen, kjo është mashtrim

HomeLajmeRajoni

Vuçiq: QUINT-i dhe BE-ja thonë se veprimi i Kosovës për targat është në përputhje me marrëveshjen, kjo është mashtrim

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë pas seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë se sot në mëngjes ka dëgjuar kërkesat e përfaqësuesve të serbëve nga Kosova “veçanërisht në prag të skadimit të ultimatumit për targat”.

“Para disa ditësh kemi marrë një demarsh, një akt ku kemi pranuar qëndrimet e vendeve të QUINT-it dhe BE-së të harmonizuara. Në atë akt, pika dy e seksionit të parë që ka të bëjë me targat, thotë se duhet të kuptojmë që veprimi i Kosovës është legjitim dhe në përputhje me marrëveshjen, por problemi është koha dhe metoda dhe kjo shkakton shqetësimin e tyre”, citohet të ketë thënë fillimisht Vuçiq.

“Sot edhe atë ditë, përfaqësuesve të QUINT-it dhe BE-së u thashë se kjo nuk është e vërtetë dhe se po mashtrojnë opinionin, se bëhet fjalë për gënjeshtra famëkeqe. Ata nuk kanë të drejtë për këtë në asnjë marrëveshje”, ka shtuar ai.

Presidenti serb ka pretenduar se “Prishtina po kërcënon të vazhdojë me aksionin” por se sipas tij, “kërcënon stabilitetin dhe paqen dhe mbijetesën e popullit serb në Kosovë”.

Siç ka thënë ai, Prishtina po planifikon që personat me targa KM të largohen nga territori i Kosovës drejt Serbisë, në mënyrë që të mos lejohen të kthehen.

Vuçiq shtoi se “veprimet e Prishtinës do të përballen me rezistencë demokratike të popullatës serbe dhe se Serbia nuk do të lejojë persekutimin e popullit serb”.

Vuçiq theksoi se Beogradi insiston gjatë gjithë kohës për targat KS për serbët në Kosovë, të cilat janë neutrale në status, por se sipas tij, “Prishtina në mënyrë të njëanshme i anuloi ato në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e mëparshme dhe po kërkon vetëm targa RKS të Kosovës së pavarur”.

Ndryshe, targat me akronime serbe për qytetet e Kosovës – sikurse KM, PZ, PR e të ngjashme – që besohet se janë afër 10.000 – konsiderohen ilegale nga Qeveria e Kosovës. /Telegrafi