Komuna e Rashkës në Serbi gjendet afër kufirit me Kosovën.

“Unë besoj në drejtësi dhe ligj, por më shumë se çdo gjë në urtësinë, por edhe forcën dhe vendosmërinë serbe”, shkroi ai në Instagram.

Më herët gjatë ditës, Vuçiq tha se janë duke folur “me të gjithë” dhe janë duke “bërë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, për të gjetur një zgjidhje kompromisi.

Presidenti serb pyeti se “kënd e shqetësojnë barrikadat në veri të Kosovës, kur askush nuk kalon nëpër ato rrugë, përveç serbëve, të cilët i përkrahin barrikadat si formë proteste dhe luftojnë për të drejtat dhe jetën e tyre”.

“Pse dikush në mënyrë histerike insiston në heqjen e barrikadave, sepse është e nevojshme që serbët të dëbohen nga veriu i Kosovës, sepse vetëm kështu e shohin zgjidhjen e problemit, si shqiptarët në Prishtinë ashtu edhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar”, tha ai pas takimit me Patriarkun Porfirije.

Vuçiq ka urdhëruar dje që forcat e armatosura dhe njësitë policore të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake.

Më 27 dhjetor, në veri të Kosovës janë vendosur dy barrikada të reja.

Barrikadat e tjera janë të vendosura kryesisht në rrugë magjistrale që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Serbët lokalë që 18 ditë kanë ngritur barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq. Autoritetet në Kosovë kanë thënë se ai dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Që kur janë ngritur barrikadat, në veri të Kosovës janë shënuar një numër i incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.

Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), patrulla të KFOR-it dhe gazetarët.

Qeveria e Kosovës tha të hënën se është në komunikim të vazhdueshëm me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe po pret që ata të veprojnë, duke theksuar që Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet për të hequr barrikadat./REL