Vuçiq bën filma: Gjatë transmetimit direkt merr ‘mesazhin e rëndësishëm’ nga Kosova

1 minute, 13 seconds Read

Në një orë e gjysmë në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, presidenti i këtij shteti, Aleksandar Vuçiq, u shpreh se nuk do të pranojë njohjen e Kosovës apo pranimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Patjetër, as kjo paraqitje nuk shkoi pa “show”.

Gjatë transmetimit, që ishte i drejtpërdrejtë, një person i afrohet në studio dhe ia tregon ekranin e telefonit e ia jep disa letra. Prezantuesi e pyet nëse është diçka shumë e rëndësishme.

“Po, është shumë e rëndësishme”, u përgjigj Vuçiqi, duke shtuar se aty kishte vendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, me të cilin u vërtetua dënimi i shkallës së parë ndaj ish-ministrit Ivan Todosijeviq që e pati mohuar Masakrën e Reçakut.

“Kjo tregon se për një fjalë goje duan t’i dëbojnë të gjithë serbët nga Kosova. Kjo tregon se sa e vështirë është të diskutohet me njerëz të tillë”, ka thënë Vuçiqi duke “arsyetuar” ndërprerjen e emisionit.

Më 5 dhjetor 2019, kryetari aktual i Komunës paralele të Zveçanit, Ivan Todosijeviq, ishte dënuar me dy vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Apeli ia vërtetoi dënimin në gusht të 2021-tës, ndërsa në dhjetor të po atij viti rasti u kthye në rigjykim nga Supremja.

Momenti në video, pas minutës së 18-të:

Publikime te ngjashme