Vuçiç ka një ndjenjë të keqe për Serbinë pas takimit të pesshës europiane: “Ishte ditë e vështirë për ne, na presin telashe të mëdha…”

3 minutes, 45 seconds Read

Një ditë pas takimit me pesëshen e ndërmjetësve ndërkombëtarë në Beograd, në të cilin është diskutuar propozimi për marrëveshjen Kosovë-Serbi, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se dje ishte njëra nga ditët më të vështira për Serbinë.

Në një deklaratë në rrjetin social Instagram, Vuçiqi tha se të hënën do t’iu drejtohet qytetarëve lidhur me bisedimet në takimin e së premtes me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që udhëhoqi delegacionin e përbërë nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e presidentit të Francës, kancelarit gjerman dhe të kryeministres italiane.

Sipas “N1” presidenti serb tha se do të flasë për të gjitha problemet me të cilat po përballen dhe zgjidhjet që janë para tyre.

“Dje ishte një nga ditët më të vështira për vendin tonë dhe kurrë nuk kam fshehur nga njerëzit në Serbi kur ndodhin gjëra të tilla. Ne do të kemi shumë telashe dhe probleme me të cilat do të përballemi në të ardhmen dhe për këtë na duhet unitet dhe nga ata që e prisja për shkak të përgjegjësisë që duhej të tregonin, përkatësisht përfaqësuesit tanë politikë, këtë nuk e morëm”, tha Vuçiq, transmeton Telegrafi.

Më tej ai tha se “kemi marrë bashkimin e tyre, pavarësisht se të kundërtën e kanë thënë vetëm pak ditë më parë për një temë ku askush nuk duhet të dalë kundër dikujt”.

“Fatkeqësisht ata zgjodhën të shkojnë kundër Serbisë edhe këtë herë. Ne do ta ruajmë dhe mbrojmë Serbinë”, ka thënë Vuçiq.

Ndryshe, Vuçiq, të premten, pas takimit me pesë diplomatët perëndimorë, tha se Beogradi është i gatshëm të punojë në zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Ai tha se ka “shqetësim dhe rezervë për një çështje e rëndësishme”, por nuk dha më shumë detaje, meqë tha se nuk mund të flasë për këtë pasi propozimi nuk është publik.

Vuçiq u tha gazetarëve se gjatë takimit me diplomatët perëndimorë “ishte përballur pa mëdyshje me problemet dhe sfidat” që do t’i viheshin Serbisë nëse nuk pajtohej me planin e propozuar.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë bisedimeve me diplomatët perëndimorë në Beograd, “tregoi qasje të përgjegjshme dhe vullnet për të marrë vendime të vështira në interes të paqes dhe perspektivës evropiane të Serbisë”.

“Kemi pasur një diskutim intensiv, të vështirë, por edhe të hapur, dhe ndihemi të inkurajuar nga rezultati”, tha Lajçak.

“Për ne, zbatimi në kohë i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është element kyç për stabilitet dhe jemi të bindur se plani që kemi paraqitur në shtator, dhe që diskutuam sot, është mënyra më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe integrimin e rajonit”, tha ai.

Paraditen e 20 janarit, pesë diplomatët qëndruan në Prishtinë, ku u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas këtij takimi, në një deklaratë para mediave, Lajçak tha se delegacioni i emisarëve ndërkombëtarë ka pritur më shumë mirëkuptim rreth mundësive që ofron propozimi për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Ne kemi pritur që të kuptohen më mirë mundësitë që i ofron ky propozim. Shpresoj të mbërrijmë atje, te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, tha Lajçak të premten në Prishtinë.

Ndërkaq, nga kabineti i kryeministrit Kurti thanë se për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilin kryeministri Kurti e vlerëson si “bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”.

Publikime te ngjashme