Vuçiç i dëshpëruar thotë se Serbinë e presin ditë të veshtira lidhur me Kosovën! Tregon se sa vende e kanë terhequr njohjën

2 minutes, 10 seconds Read

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sonte se Serbinë e presin sfida të vështira lidhur me Kosovën, ndërsa ka theksuar se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës dhe se shteti i dhjetë është ende në pritje.

Në konferencën vjetore për shtyp, Vuçiq theksoi se 106 vende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa 84 e pranojnë pa mëdyshje, kurse tri shtete “nuk janë të qarta”.

“Kemi nëntë vende që e kanë tërhequr njohjen, presim të dhjetën”, tha Vuçiq.

Siç raporton “Danas” Vuçiq deklaroi se” Serbia vështirë mund t’i kundërshtojë përpjekjet e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, por se situata është ndryshe në Organizatën e OKB-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO)”.

“Ne do të luftojmë, pasi që dy të tretat e votave duhen për anëtarësim në UNESCO dhe do të jetë pak më e vështirë për ta”, tha Vuçiq.

Ai tha se në janar “po pret që ekspertët (nga Perëndimi) të vijnë dhe t’i shpjegojnë se pranimi i hyrjes së Kosovës në OKB është e vetmja rrugëdalje e mundshme për Serbinë”.

Të kundërtën e asaj që e tha Vuçiq e thotë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, sipas së cilës vendin ton deri më tani e kanë njohur 106 vende.

Gjatë  konferencës për media në Beograd, Vuçiq gjithashtu tha se këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do të vizitojë Beogradin më 11 ose 12 janar.

Chollet kishte anuluar një vizitë në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në Bruksel në dhjetor për shkak se doli pozitiv për coronavirus.

Vuçiq tha se pas zyrtarit amerikan, Serbinë do ta vizitojnë edhe negociatorët evropianë.

Kosovës dhe Serbisë u është ofruar një propozim franko-gjerman në emër të Bashkimit Evropian. Ky propozim ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara.

“Ne i përmbahemi Kushtetutës sonë dhe jemi të gatshëm të diskutojmë për zgjidhje të panumërta kompromisi”, tha Vuçiq kur u pyet se cila ishte zgjidhja e pranueshme për Beogradin kur bëhet fjalë për Kosovën. /Telegrafi

Publikime te ngjashme