fbpx

Vërshime, krizë ekonomike e energjetike, Albin Kurti i tmerron qytetarët me paralajmërime për luftë

HomeLajmeKosovë

Vërshime, krizë ekonomike e energjetike, Albin Kurti i tmerron qytetarët me paralajmërime për luftë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është rikthyer edhe një herë temës së një lufte ndërmjet Kosovës e Serbisë, duke injoruar krejtësisht luftën e qytetarëve të Kosovës me vërshimet, krizën ekonomike e energjetike.

Ndonëse Aleanca më e madhe ushtarake NATO ka trupat e saj që garantojnë sigurinë në Kosovë, Kurti shumë shpesh flet për luftën.

Kurti sot ka thënë se Serbia është kërcënim për paqen në Ballkanin Perëndimor sepse ajo po armatoset nga Kina dhe Rusia, shkruan Demokracia.com.

Kurti nuk e ka përjashtuar mundësinë e një lufte në Kosovë, pasi sipas tij, rreth kufirit të Kosovës me Serbinë, në anën serbe janë 48 baza operative sulmuese progresive, prej të cilave 28 janë ushtarake dhe 20 i përkasin xhandarmërisë. Ai beson se do të ishte e papërgjegjshme të thuash se nuk do të ketë kurrë konflikt dhe se nuk do të ketë më luftë.

Kurti ka pyetur “nëse nuk ka përgatitje për luftë, pse vitin e kaluar Serbia dhe Rusia kanë pasur 104 stërvitje dhe aktivitete të përbashkëta ushtarake nga 91 që kishin planifikuar dhe në të njëjtën kohë. Dy stërvitjet më të rëndësishme ushtarake ishin ‘Mburoja Sllovene’ dhe ‘Vëllazëria Sllovene’”.

Sipas Kurtit, Serbia po armatos fuqishëm ushtrinë e saj me pajisje që i merr nga Rusia dhe Kina, dhe kjo përbën rrezik për Ballkanin Perëndimor.

“Përderisa serbët i kanë këto ëndrra për Kosovën si pjesë e Serbisë, këto ëndrra do të kthehen në makth për të gjithë Ballkanin, duke theksuar se në Ballkan nuk mund të ketë luftë pa Serbinë, as paqe pa shqiptarë”, ka theksuar Kurti në një intervistë ekskluzive për Večernji list.

Por kjo nuk është hera e parë që Kurti përmend mundësinë e një luftës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai pothuajse në çdo intervistë që jep për mediat e huaja i kthehet temës së luftës.

Rreziku për një konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë është i lartë, i tha ai kojë më parë gazetës italiane “La Repubblica”.

Duke parë atë çfarë Rusia ka bërë me Ukrainën, Kurti tha se “do të isha i papërgjegjshëm po të shprehesha ndryshe”.

“Nuk do të thoja që [rreziku] është tejet i lartë, për shkak edhe se kemi kontingjentin e NATO-s këtu, por sigurisht se i lartë. Para pushtimit të Ukrainës, mundësitë ishin të pakta, tani situata ka ndërruar”.

“Nëse kemi një episod të dytë, për shembull në Transnistri, atëherë gjasat që një luftë e tretë të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor, dhe në Kosovë në veçanti, do të jenë shumë të larta”, u shpreh ai.

Për luftën ai kishte folur edhe në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Kurti tha se në komunat veriore të Kosovës, më 31 korrik, pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur, “për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd”.

Sipas tij, barrikadat që u vendosën në rrugët e veriut, në kundërshtim të zbatimit të vendimit për targat dhe dokumentet hyrëse për shtetasit serbë, ishin të pozicionuara në atë mënyrë që të qëllohej me armë mbi automjete dhe njerëz që kalojnë në atë zonë.

x