fbpx

Vazhdon djegia e pronave të serbeve të cilët u binden vendimeve të qeverisë së Kosovës

HomeLajmeKosovë

Vazhdon djegia e pronave të serbeve të cilët u binden vendimeve të qeverisë së Kosovës

Një stallë në pronësi të një shtetasi serb në Leposaviç është djegur gjatë natës së kaluar.

Policia e Kosovës ka njoftuar se rreth orës 04:00 të mëngjesit është raportuar për zjarrvënie në Donje Kërrne të Leposaviçit.

“Policia e Kosovës, me datën 06.11.2022, rreth orës 04:00 (pas mesnate) ka pranuar një informacion për djegien, vënien e zjarrit ndaj një objekti (stallë), pronë e viktimës mashkull kosovar i komunitetit serb, me banim në Donje Kërnjen nga komuna e Leposaviqit.

Njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme policore, përderisa Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, në hetimin dhe zbardhjen e këtij rasti dhe të rasteve të tjera të zjarrvënieve, të ndodhura dhe të orientuara ndaj pronave private”.

Një ditë më parë, zëvendës/sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, tha se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të intervenuar në rast se rrezikohet stabiliteti.

Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se ka biseduar me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak lidhur me situatën, siç ka thënë ai, të tensionuar në veri të Kosovës.

“Beogradi dhe Prishtina duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin”.

Të shtunën, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet shtetërore./Top Channel