2 persona janë shoqëruar nga policia duke dalë nga PD. Gazetari i Abc Juxhin Mustafaraj ka sjellë pamje nga momenti i shoqërimit të 2 mbështetësve të Bashës që ishin brenda selisë blu.

Më herët lidhur me protestën e dhunshme në selinë blu janë shoqëruar 25 protestues, shumica përkrahës të berishës. 8 prej tyre ndodheshin brenda selisë se Partisë Demokratike.

Shumica e të shoqëruarve janë kapur në flagrancë dhe akuzohen për shkatërrim prone, kundërshtim të forcave të policisë, gjatë protestës së organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Prej orës 13:00 ekspertet ligjore po grumbullojnë provat materiale të lëna pas nga dhuna si edhe vëzhgimin e kamerave të sigurisë së selisë blu për identifikimin e gjithë atyre që thyen rendin dhe sigurinë publike. Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj me grupin hetimor dhe drejtuesit e policisë së Tiranës ndodhen në selinë e PD-së për të mbledhur provat.

Protesta u mbyll pas 3 orësh, ku pati akte të shumta dhune. Berisha u tërhoq duke mbyllur tubimin me premtimin se do të rikthehet sërish deri në arritjen e qëllimit final që është largimi i Lulzim Bashës nga zyra.

Në reagimin e tij të parë Basha tha se Sali Berisha me atë që ai e quajti organizata e tij terroriste dështuan në tentativën për të uzurpuar Partinë Demokratike. Sot, theksoi kreu i PD u ndanë përfundimisht nga “Berisha dhe berishizmi”.

Në një deklaratë nga selia blu, Basha tha se Berisha u braktis sot nga demokratët dhe se sot ka pasur ditën e tij të fundit politike në Shqipëri. Basha tha se asnjë prej objektivave të vendosura nga ish-Kryeministri nuk u realizuan.

Për Berishën protesta e sotme bëri dallimin mes opozitës së vërtetë dhe pseudoopozitës. Ai paralajmëroi Bashën duke thënë se nuk do ta shpëtojë as vrima e miut.

Ish-Kryeministri Berisha thotë se protestat do të vazhdojnë.  Basha mohoi që ai personalisht të kishte kërkuar këtë të shtunë ndërhyrjen e policisë në kohën kur situata në protestën para selisë blu, u përshkallëzua. Megjithatë, Basha ripërsëriti se vonesa e policisë për të ndërhyrë ishte si pasojë e planit të Sali Berishës dhe Edi Ramës, për të uzurpuar Partinë Demokratike. Nga ana tjetër e njëjta akuzë për bashkëpunim me Ramën u bë nga Berisha për Bashën.