Usyk kapet me Furyn: O barkmadh lakmitar

1 minute, 28 seconds Read

Kampioni i peshave të rënda, Oleksander Usyk, ka shpërthyer ndaj britanikut, Tyson Fury, duke thënë se nuk e ka në plan të bëhet pjesë e lojërave të tij, teksa e quajti ‘barkmadh lakmitar’.

Tashmë ishte raportuar se përballja e padiskutueshme për kampionin e peshave të rënda do të zhvillohej më 29 prill në Wembley, por një kërkesë e fundit nga Fury për ta hequr klauzolën e revanshit, duket se ka prishur punët në kampin e boksierit ukrainas.

Kësaj kërkese iu përgjigj direkt Usyk në rrjetin social Twitter, ku tha se kërkesa për një revansh të mundshëm kishte ardhur nga skuadra e Furyt.

“Barkmadh lakmitar, klauzola për revanshin ka ardhur nga ana juaj, jo nga e imja.”

Kampioni i WBA, IBF dhe WBO vazhdoi tutje duke thënë: “Pusho së ankuari dhe mos bë si rosë, bëhu burrë. Nënshkruaj kontratën ose liroje titullin. Më duhet të bëhen kampion i padiskutueshëm dhe jo të merrem me budallaqët tua.”

Kjo vjen pasi promotori i Usyk, Alex Krassyuk, tha se nuk beson se meçi do të zhvillohet, duke thënë për talkSPORT: “Siç tha Usyk, barkmadhi lakmitar ende shpreson të gjejë një mënyrë për t’u tërhequr. Ne e dinim më parë dhe e dimë tani. Sapo Usyk pranon një klauzolë pa revansh, do të vazhdojë të kërkojë një gjë tjetër për të gjetur dhe për të ikur nga lufta.”

Fury mban titullin WBC, ndërsa Usyk ka tre titujt tjerë dhe një luftë mes tyre do të bënte që sërish kategoria e peshave të rënda të kishte një kampion të padiskutueshëm.

Publikime te ngjashme