fbpx

Ukraina vazhdon suksesin në fushën e betejës, ri-kthen disa qytete në Kharkiv

HomeLajmeBota

Ukraina vazhdon suksesin në fushën e betejës, ri-kthen disa qytete në Kharkiv

Ukraina ka rikthyer mbi 6.000 kilometra katrorë të territorit të pushtuar nga forcat ruse, ka thënë presidenti i këtij vendi, Volodymyr Zelensky. Shifrat e tij nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur, por Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka pranuar se ka tërhequr forcat e saj nga disa qytete në rajonin verilindor të Harkivit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka vizituar të martën e 14 shtatorit qytetin e rikthyer të Iziumit – një qendër strategjike hekurudhore.

“Është e mundur t’i pushtosh territoret e vendit tonë, por sigurisht që është e pamundur të pushtosh popullin tonë, popullin e Ukrainës”, ka thënë Zelensky.

Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, ka thënë se forcat ruse janë tërhequr nga disa qytete për t’u rigrupuar.

“Për t’i arritur qëllimet e operacionit të posaçëm ushtarak, për çlirimin e Donbasit, është marrë vendim për rigrupimin e trupave ruse, të stacionuara në rajonet Balaklia dhe Izium”, ka thënë Konashenkov.

Balaklia, qytet me 25.000 banorë, ka rënë nën kontrollin e forcave ruse qysh në muajin mars. Vendasit nuk kanë mundur të fshehin gëzimin kur kanë parë hyrjen e ushtrisë ukrainase në qytet.

“Kam qenë duke gatuar në shtëpi kur janë shfaqur ushtarët dhe iu kam dhënë një pjatë të madhe me ëmbëlsira”, ka thënë një vendase.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkallë të gjerë në fund të shkurtit. Konflikti është më i madhi në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar më shumë se 5.500 civilë të vrarë dhe mbi 6.6 milionë të zhvendosur, edhe pse numri i viktimave besohet të jetë shumë më i lartë. Humbjet ushtarake janë po ashtu të mëdha: mbi 9.000 ukrainas të vrarë dhe mbi 25.000 rusë – sipas vlerësimeve të inteligjencës perëndimore.

Në vitin 2014, Rusia ka aneksuar ilegalisht Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe nga shkurti ka marrë nën kontroll rreth 20% të shtetit fqinj. Zyrtarët ukrainas të mbrojtjes besojnë se rikthimi i territoreve në verilindje është një moment kritik për ta./ REL

x