fbpx

Trusti në rënie të lirë| Po humbasin milionat e kosovarëve, “ekspertët” e gjithçkaje Albin Kurti dhe Hekuran Murati vazhdojnë të heshtin

HomeLajmeKosovë

Trusti në rënie të lirë| Po humbasin milionat e kosovarëve, “ekspertët” e gjithçkaje Albin Kurti dhe Hekuran Murati vazhdojnë të heshtin

Zyrtarët e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, i njohur shkurt si TRUST, e kanë pranuar zyrtarisht se investimet në këtë fond po përjetojnë periudhën më të rëndë këtë vit si rrjedhojë e krizës në tregjet financiare ndërkombëtare dhe kjo ka shkaktuar humbje të konsideruara të kursimeve të qytetarëve të Kosovës.

Edhe pse kjo po llogaritet të jetë kriza më e rëndë që po përjeton Trusti i Kosovës dhe rrjedhimisht edhe kursimet e kosovarëve, dy ekspertët e gjithçkaje, Albin Kurti dhe Hekuran Murati, vazhdojnë të heshtin.

Zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi, ka thënë për mediat se “Diku tri ditë jemi prapa me raportin, ka qenë më pakë se 100 milionë euro vlera negative për vitin aktual. Aktualisht kjo është gjendja negative për vitin 2022, edhe për sa koha vazhdon gjendja e rëndë, rikuperimet do të jenë të vështira, por po ka lëvizje të tilla që janë të thella, herë më shumë e herë më pak…. Për atë periudhë ashtu ka qenë, periudhë e prerë në ato data kanë qenë me atë efekt, por ajo është relative sepse ndryshon”, theksoi ai.

Profesori në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skënderi thotë se për të mos ndodhur shkatërrimi i krejt fondit, bordi i Trustit, Qeveria dhe Kuvendi duhet urgjent të marrin masa për parandalimin e humbjeve të qindra miliona eurosh nga kursimet e qytetarëve. Profesori Skënderi thotë se Trusti po e përjeton krizën më të rëndë ndonjëherë. “Është shqetësues fakti se si institucionet, përkatësisht Bordi i Trustit Pensional të Kosovës nuk ndërmerr masa në bashkëpunim me institucionet kuvendin dhe qeverinë që do kudo këto humbje të jenë relativisht më të lehta apo të pakësuara. Për aq sa zgjatë agresioni rus në Ukrainë, humbjet e Trustit do të thellohen edhe më tutje. Kështu që për mos me shkuar deri te një shkatërrim total i mjeteve të Trustit në tregjet ndërkombëtare, mendoj që qeveria e Kosovës në bashkëpunim me menaxhemntin e Trustit, por edhe me parlamentin, do të duhej të ndryshojë ligjet të cilat janë penguese për kthimin e mjeteve e Trustit në Kosovë, që sa paku mjetet të kthehen në tregun vendor dhe të bëhet ndonjë investim i mundshëm”, thotë ai.

Edhe pse kjo llogaritet të jetë kriza më e rëndë që po përjeton Trusti i Kosovës dhe rrjedhimisht edhe kursimet e kosovarëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i financave, Hekuran Murati, vazhdojnë të mos e thonë asnjë fjalë.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, kur po diskutohej projektligji që do t’ia mundësonte qytetarëve të Kosovës të tërhiqnin 30% të mjeteve të tyre nga ky Fond, Kurti dhe Murati, e kundërshtuan fuqishëm këtë ide që kishte ardhur nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Pa kursyer edhe fyerjet, Kurti dhe Murati ishin shfaqur si dy ekspertë që njohin në themel këto çështje. Duke komentuar deklaratat e deputetëve të opozitës se këto mjete po i kërkon populli, Kurti ishte munduar të tallej me idenë se populli mund të dijë diçka nga këto punë të mëdha të ekonomisë dhe tregjeve financiare. “Murati në Skenderaj, Fadili në Malishevë, Hyseni në Prishtinë, po i pyesim këta. Është gabim, e kuptoj deputetin si përfaqësues i popullit, por populli nuk është ekspert”, kishte deklaruar Kurti.

Pra, nëse e dëgjojmë kryeministrin se këto nuk janë punë të “Muratit në Skenderaj, Fadilit në Malishevë dhe Hysenit në Prishtinë”, atëherë kur do të flasin Albini dhe Hekurani nga Prishtina, këta dy ekspertë të çështjeve të ndërlikuara të tregjeve ndërkombëtare?

x