Tripkoviq: Vuçiq ka të kaluar të dhunshme, ishte ministër i Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë

HomeLajmeRajoni

Tripkoviq: Vuçiq ka të kaluar të dhunshme, ishte ministër i Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë

Si përfundoi ndihma 1.2 miliardë dollarëshe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në duart e një autokrati ballkanik që i përdor për të ndërtuar diktaturë, ku aktivistët e demokracisë përballen me kërcënime të dhunshme? Me këto fjalë ka nisur një opinion në “NewsWeek”, Luka Tripkoviq nga grupi i aktivistëve “Ec, ndrysho” që ka për fokus luftën e shkeljes së të drejtave të njeriut, pabarazinë ekonomike dhe dështimin e demokracisë në Serbi.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është një ultranacionalist i stilit ‘Trumpist’ dhe kreu i një shteti që synon t’i bashkohet Bashkimit Evropian. Ai ka një të kaluar të dhunshme: si i ri ishte figurë kyçe e Partisë Radikale të Serbisë, së udhëhequr nga Vojisllav Shesheli, ndërsa gjatë luftës në Kosovë shërbeu si ministër i Informacionit nën Sllobodan Millosheviqin dhe synonte të shtrëngonte mediat e lira. Kur mediumet arritën të gjenin rrugën për të dalë nga rregullat e tij të censurës, Vuçiq premtoi ‘hakmarrje’”, ka shkruar Tripkoviq që më tej ka vazhduar se “më vonë, shefi ekzekutiv i një gazete të pavarur, u vra përballë banesës së tij, në një rast të pazgjidhur ende”.

Në shkrimin e Tripkoviqit thuhet se më 2012 Vuçiqi u rikthye në politikën serbe duke e cilësuar veten si partner të Unionit Kristian-Demokratik të Angela Merkelit.

“Ai kultivoi imazhin e një politikani modern, që do të zgjidhte telashet e Serbisë mbi Kosovën dhe do ta udhëhiqte vendin drejt pranimit në BE”, ka shkruar ai.

Me këtë pozicionim, Vuçiqi “u shpëtoi” kontrolleve, pasi financoi mediat private të afërta me të, nga buxheti i shtetit të Serbisë, sipas Tripkoviqit. Ai ka thënë se “shumë stacione televizive dhe radio të pavarura u shuan si pasojë”.

“Në të njëjtën kohë, BE-ja, politikisht e dominuar nga CDU-ja dhe Gjermania, derdhën para në Serbi nëpërmjet investimeve private e fondeve të anëtarësimit. Raportet e Komisionit Evropian ishin pozitive dhe BE-ja në mënyrë cinike injoroi kritikat nga OJQ-të dhe institucionet e mbetura të pavarura. Rezultati? Vrasjet profesionale kryhen në mes të ditës, veturat shpërthejnë në mes të trafikut dhe ka rrjete droge në të gjitha qytetet e mëdha”, ka shkruar Tripkoviq. “Totalitarizmi i Vuçiqit është i sofistikuar, në krahasim me autoritarët tjerë në rajon, dhe i maskuar në mënyrë progresive, liberale e sjellje properëndimore. Ligjet janë rishikuar në përputhje me kriteret e pranimit në BE, dhe një anëtare e komunitetit LGBTQI+ i shtetit tani është kryeministre. Megjithatë, kjo është fasadë e kuruar me kujdes, që ia mundëson qeverisë së Serbisë të marrë paratë e taksapaguesve nga jashtë, pretendim që është mohuar nga BE-ja dhe SHBA-ja”.

Sipas Tripkoviqit, grupet e aktivistëve po synojnë ta ekspozojnë Vuçiqin e vërtetë. “Ne jemi fëmijët e atyre që jetuan nën tiraninë e Millosheviqit. Shkolla ime e fëmijërisë në Serbi ishte përplot refugjatë nga Bosnja, Kroacia e Kosova. Çdo ditë, rrugës për shtëpi, takoja prindërit e mi që protestonin për zgjedhje të lira. E kam përjetuar momentin kur babai im, kirurg, duke u thirrur për në ushtri gjatë luftës në Kosovë dhe më kujtohet se s’kam dëgjuar asnjë fjalë për të për një muaj. Kolegët e mi kanë përjetuar trauma të ngjashme: Savo, një refugjat, u detyrua të largohej nga shtëpia e tij për shkak të kërcënimeve me vrasje, ndërsa familja e Nikolas u përball me vëzhgim të policisë sekrete”.

Tripkoviq është ankuar se sot në Serbi ata që përpiqen të mbrojnë lirinë e medias përballen me valë të re sulmesh. Ai ka thënë se edhe autoriteti rregullativ i medias në Serbi është i minuar nën administratën e Vuçiqit.

Më 1 gusht, në Serbi do të vendoset cilat kanale televizive duhet të marrin licencën e transmetimit tokësor. Tripkoviq ka thënë se peticionin e “Ec, ndrysho” për të lëshuar e hequr licenca pa paragjykime, e kanë nënshkruar mbi 200 mijë serbë për 12 ditë. Pasi që janë potencialisht bllokues të ambicieve të Vuçiqit, sipas Tripkoviqit, aktivistët po përballen me akuza nga mediat e krahut të Qeverisë dhe me kërcënime për vrasje nga përkrahësit në rrjetet sociale.

“Njëri na quan ‘grup tradhtarësh’. Ndërsa një tjetër ka paralajmëruar se ‘një operacion po përgatitet’, që të rezultojë me ‘likuidim’. Nëse diçka e tillë ndodh dhe Serbia vazhdon në rrugën e rrënimit nën Vuçiqin, kontributet tatimore të fituara me vështirësi të qytetarëve amerikanë do të financojnë një ‘goditje’ ndaj atyre që po mbrojnë liritë më elementare”, ka përfunduar Tripkoviq.

COMMENTS

x