fbpx

Trendafilova flet për bashkëpunimin me Serbinë, që mizorisht vrau rreth 11 mijë shqiptarë

HomeLajmeKosovë

Trendafilova flet për bashkëpunimin me Serbinë, që mizorisht vrau rreth 11 mijë shqiptarë

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, më në fund ka folur rreth bashkëpunimit të tyre me institucionet e Serbisë për luftën e UÇK-së.

Ndonëse shteti i Serbisë i ka vrarë mizorisht rreth 11 mijë shqiptarë dhe kriminelët serbë nuk kanë dalë para drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, Trendafilova ka thënë se bashkëpunimi i gjykatës me shtetet e tjera, përfshirë këtu edhe Serbinë, është tashmë publik.

Në një intervistë për Danas, Trendafilova tha se ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës parasheh që Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar mund të hyjnë në marrëveshje me shtetet, organizatat ndërkombëtare dhe subjektet tjera për përmbushjen e mandatit të tyre.

“Bashkëpunimi i hetuesve të Prokurorisë së Specializuar me institucionet serbe ka qenë publik prej kohësh. Pranimi dhe pesha që duhet t’i jepet çdo prove të mbledhur apo marrë nga Prokuroria e Specializuar vlerësohet nga gjyqtarët e Dhomat e Specializuara”, tha ajo, transmeton Paparaci.

Trendafilova tha se Gjykata Speciale është një gjykatë e hapur dhe transparente dhe se sondazhet e opinionit publik tregojnë se, pavarësisht nga ata në Kosovë që e kundërshtojnë me zë të lartë, shumica e njerëzve besojnë se gjykata do të sigurojë respektimin e të drejtave të të akuzuarve dhe mbrojtjen e dëshmitarëve.

Në këtë intervistë, ajo ka theksuar se lënda ndaj dy ish-krerëve të OVL të UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, ende nuk është përfundimtare dhe se rasti mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, sipas të dhënave më të konsoliduara, nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000, rezulton se janë vrarë dhe zhdukur gjithsej 10 812 shqiptarë, 2 197 serbë, 526 romë, boshnjakë, malazez dhe komunitete tjera joshqiptare. Këtu nuk përfshihen humbjet e jetës së fëmijëve dhe të moshuarve që kanë ndodhur për shkak të rrethanave të luftës dhe deportimit masiv nga shtëpitë e tyre të rreth 1 milion shqiptarëve. Nga forcat serbe, po ashtu, janë dhunuar edhe rreth 20 mijë femra shqiptare. Të gjitha këto krime kanë ndodhur në një territor që krejtësisht ishte i kontrolluar nga forcat serbe. Nëse krahasojmë numrin e viktimave dhe përgjegjësinë strukturore e komanduese, niveli i gjykimeve ndaj autoriteteve serbe për krimet e kryera, jo vetëm që qëndron në shpërputhje të thellë, por është edhe fyes për viktimat dhe familjet koosvare.

Që nga përfundimi i luftës, drejtësia ndërkombëtare në emër të drejtësisë tranzicionale ka pasur qasje të papenguar në terren, në dosje dhe në dëshmitarë, me përgjegjësi absolute për zbardhjen e të gjitha rasteve. Çdo shqiptar i akuzuar prej tyre, sikurse askund në botë ka bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare, e cila i ka gjykuar dhe rigjykuar.

Autoritetet serbe, me të cilën Gjykata Speciale ka bashkëpunuar, me vite të tëra i kanë fshehur të kërkuarit e tyre nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, si Karaxhiqin, Mlladiqin, Millosheviqin, etj. Madje, disave prej tyre, shteti serb ua kishte ndërruar edhe identitetin për t’i fshehur.

COMMENTS

x