fbpx

Tre muaj burgim me kusht, pranoi se shkroi në mure ““Kllokoti Serbi” e “Vitia është Serbi”

HomeLajmeKosovë

Tre muaj burgim me kusht, pranoi se shkroi në mure ““Kllokoti Serbi” e “Vitia është Serbi”

S.R., është dënuar më tre muaj burgim me kusht, për akuzën se në shtatorin e vitit të kaluar së bashku me dy të mitur D.R dhe S.R, kanë përhapur urrejtje etnike, duke shkruar grafite përçarëse në rrugën “Kllokot – Viti”, në muret e një shtëpie shqiptare, në disa shtylla betoni dhe në trotuar.

Sipas prokurorisë, në këto vende ata kanë shkruar shenjën kryq – katër shkronja “CCCC”, si dhe kanë shkruar “Kllokoti Serbi”, “Vitia është Serbi” dhe “Serbia”.

Aktgjykimin ndaj të akuzuarit S.R, e ka marrë gjykatësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Viti, Nexhat Aliu, më 6 korrik 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i akuzuari S.R. në seancën fillestare e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 12 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj S.R., me arsyetimin se ai në shtatorin e vitit të kaluar në Kllokot, së bashku me dy të miturit D.R. dhe S.R., kanë përhapur publikisht urrejtje dhe përçarje etnike.

Sipas prokurorisë, i akuzuari dhe dy të miturit fillimisht blejnë dy sprejë me ngjyrë të zezë dhe më pas në rrugën “Kllokot – Viti” dhe në disa shtylla të betonit shkruajnë grafite dhe atë shenjën kryq – katër shkronja “CCCC”, në muret e një shtëpie shqiptare shkruajnë “Kllokoti Serbi” dhe “Vitia është Serbi”, ndërsa në trotuar shkruajnë “Serbia”.

Me këtë, S.R. akuzohej se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, nga neni 141, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.