Connect with us

Kosovë

Tre kirurgë dyshohet se morën para nga pacientët për të kryer operacionet në Spitalin e Vushtrrisë

Publikuar

me

Tre kirurgë në Spitalin e Vushtrrisë dyshohet se kanë marr para nga pacientët për të kryer operacionet.

Paratë nga rreth 150 deri në 400 Euro, siç rrëfejnë pacientët dhe familjarët në video që ka siguruar Gazeta Shneta, mjekët i kanë marr në emër të blerjes së materialit (kryesisht rrjeta dhe klipa) të nevojshëm për operacion. Në mesin e kirurgëve është Isuf Zekaj – shef i kirurgjisë në SP Vushtrri dhe anëtar i Bordit Drejtues të SHSKUK-së, dhe dy kirurgët Ekrem Sefiu dhe Arsim Latifaj. Tre kirurgët po hetohen edhe nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, pas inicimit të rastit nga gazetari Bujar Vitija.

Tre kirurgë në Spitalin e Vushtrrisë janë përfshirë në një skandal ryshfeti pasi dyshohet se kanë marr para nga pacientët për të kryer operacionet. Në videot e siguruara, flasin pacientë dhe familjarë të pacientëve të operuar nga kirurgët Isuf Zekaj, Ekrem Sefiu dhe Arsim Latifaj.

Kirurgu Zekaj është shef i repartit të kirurgjisë në SP Vushtrri, si dhe anëtar i Bordit Drejtues të SHSKUK-së i emëruar në korrik të vitit të kaluar kur MSH udhëhiqej nga ish-ministri Rifat Latifaj.

Në video familjarët tregojnë se si iu kanë dhënë para kirurgëve për të kryer operacionet. Paratë, nga rreth 150 deri në 400 Euro, janë dhënë në emër të blerjes së materialeve, kryesisht rrjeta dhe klipa. Këto dy materiale nuk janë të përfshira në Listën Esenciale të Materialeve shpenzuese.

Gjatë hulumtimit janë siguruar informacione nga sektori privat se rrjetat në barnatore kushtojnë nga 15 deri në 30 Euro, ndërsa ka edhe të shtrenjta 200 deri në 300 Euro. Kurse klipat të cilat nevojiten për stopimin e gjakderdhjes, kushtojnë rreth 10 Euro disa copë.

Këto video janë siguruar përmes një sinjalizuesi në muajin shtator të vitit 2022. Video-materialet fillimisht janë dorëzuar në organet e hetuesisë në Policinë e Kosovës nga gazetari Bujar Vitija, pasi sinjalizuesi ka kërkuar të mbetet anonim.

Emrat e kirurgëve të cilët nuk përmenden në video, janë identifikuar përmes programeve operative të ditëve kur pacientët janë bërë operacion. Dokumentet e programeve operativ i posedon Gazeta Shneta, dhe të njëjtat bashkë me videot janë dorëzuar në Polici.

Nga ajo kohë deri më sot Gazeta ka mësuar se janë zhvilluar hetime nga Policia në rajonin e Mitrovicës dhe hetimet i ka konfirmuar edhe prokurorja e rastit Fetije Bajrami nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë. Ajo ka thënë se janë duke mbledhur prova, megjithëse provat janë dorëzuar që nga tetori i vitit të kaluar. “Jam duke u marr intensivisht me rastin. Jemi në mbledhje të provave. Jemi në hetime dhe nuk mund të flas më shumë”, ka deklaruar Bajrami.

Reklama