fbpx

Trajkoviq thotë se Radoiçiqi i ka futur bandat e armatosura në veri të Kosovës

HomeLajmeKosovë

Trajkoviq thotë se Radoiçiqi i ka futur bandat e armatosura në veri të Kosovës

Rada Trajkoviq, kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, ka vlerësuar se veriu i Kosovës po bëhet një zonë me rrezik të frikshëm dhe theksoi se KFOR-i nuk do të merret me punën e policisë. Ajo tha se në veriun e vendit tonë ekzistojnë bandat e armatosura që i ka futur Milan Radoiçiq, por jo edhe mercenarë të grupit ‘Wagner’ .

Ish-deputetja serbe e Kuvendit te Kosovës, Trajkoviq vlerësoi se EULEX-i nuk ka mjaft policë të vet për të mbuluar të gjitha vendet ku policët e nacionalitetit serb janë larguar nga Policia e Kosovës dhe shtoi se EULEX-i nuk mund të ofrojë siguri në mënyrë efektive.

Trajkoviq në TV “Nova S” ka theksuar se EULEX-i nuk ka mandat për të zëvendësuar policinë lokale.

“Sigurisht që ka rrezik, thjesht tani pritet reagimi i Prishtinës”, tha Trajkoviq dhe shtoi se tani shtrohet pyetja nëse Prishtina do të dërgojë policë shqiptarë në veri të Kosovës.

E pyetur se çfarë do të ndodhte nëse Prishtina vendos për një vendim të tillë dhe i dërgon policët shqiptarë në veri, Trajkoviq vlerësoi se atëherë do të ishte problem i madh për të gjithë ata.

“Ekziston rreziku, sepse në veri të Kosovës atë që nuk na pëlqen ta themi dhe që vazhdimisht mundohemi ta fshehim, ka banda të armatosura që i ka futur zoti (Milan) Radoiçiq, nuk e di nëse ai është vetë i pranishëm atje. Dëgjoj se përveç grupeve të armatosura janë parë edhe anëtarë të grupit ‘Wagner’ që nuk besoj, sepse janë mercenarë që aktualisht luftojnë për rusët në Ukrainë dhe paguhen nga manjatë rusë, nuk e di se cili manjat serb do t’i paguante nëse do të hynin në veri me detyrën për të luftuar”, tha Trajkoviq, transmeton Telegrafi.

Për policët serbë që dhanë dorëheqje, por që ende vazhdojnë të qëndrojnë në stacionet policore në veri të Kosovës, Trajkoviq vlerëson se ata tani janë “persona të qëndrojnë në stacione policore në ndonjë marrëveshje private”.

“Nëse kanë dhënë dorëheqje dhe nëse janë ‘zhveshur’, tani janë persona të ulur në ndonjë marrëveshje private, kjo është shumë e rrezikshme dhe Mitrovica e di këtë. Ajo kishte përvojën më herët që serbët nga veriu i Kosovës donin t’i merrnin stacionet policore, do të thosha, në mënyrë pak të armatosur dhe kishte konflikte të mëdha në mes të komunitetit ndërkombëtar dhe serbëve. Ato stacione policore janë shumë të rëndësishme dhe me të vërtetë mendoj se ky është një qëndrim krejtësisht i pamenduar i atyre që e morën atë vendim”, tha Trajkoviq.

Aleksandar Arsenijeviq nga Iniciativa Qytetare Serbe “Mbijetesa serbe” vlerësoi se qytetarët me siguri do të mësohen ngadalë me dimensionin e ri të jetës në Kosovë.

“Komuniteti serb në veri të Kosovës ka qenë në situata të ngjashme edhe më parë, dhe duke u mësuar nga ajo përvojë, nuk mendoj se do të ndryshojë dukshëm sa i përket marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve”, tha Arsenijeviq.

“Sipas informacionevev që kam në stacionet policore qëndrojnë policë të çarmatosur në dorëheqje dhe ruajnë pajisjet dhe stacionet policore, në secilën nga 16 policë. Sot është vërejtur edhe ardhja e policisë së EULEX-it në stacionin policor të Kosovës në Zveçan, kjo ndoshta është shenjë se EULEX-i do të marrë përsipër kornizën e sigurisë në veri të Kosovës”, tha Arsenijeviq.