fbpx

Testimi i qarkores – kryeqyteti bllokohet nga veturat edhe pasdite

HomeLajmeKosovë

Testimi i qarkores – kryeqyteti bllokohet nga veturat edhe pasdite

Testimi i shndërrimit të unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet, ka bllokuar tërësisht trafikun këtë të premte.

Në mëngjes qytetarët për orë të tëra u përballën me kaos në trafik për shkak të kolonave të gjata. E një situatë e tillë po ngjan edhe pasdite.

Në pamjet e siguruara nga Telegrafi, shihet se rruga “Robert Doll” dhe ajo “Ukshin Hoti” që lidhen me bulevardin Bill Clinton, janë bllokuar nga kolonat e veturave duke shkaktuar tensionim te qytetarët.

Situatë e njëjtë shihet edhe në rrugën “Luan Haradinaj”. Në pamjet e publikuara në faqen “Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë” në Facebook, shihet se në këtë rrugë kolonat janë disa metra të gjata.

Për t’i ikur kaosit të shkaktuar në trafik, qytetarët po përdorin edhe rrugët alternative nëpër lagjet e kryeqytetit.

Ndryshe, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga sot ka filluar testimi i radhës i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet.

Testimi do të zgjasë tri ditë radhazi dhe i gjithë procesi do të ndodhë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, deklaroi se testimi i së premtes për dallim nga herët e kaluara që është bërë gjatë fundjavës, ka ndodhur për t’i kuptuar problemet në komunikacionin e Prishtinës.

Sipas Ramës, testimet nëpër rrugë duhet të bëhen për të kuptuar saktë problemet që janë në komunikacion.

Qarkorja njëkahëshe gjatë këtyre ditëve do të jetë funksionale në drejtim të rrugëve:

 Rruga “Agim Ramadani”që nga semaforët pranë ish-mensës së Studentëve e deri te rreth-rrotullimi prapa ndërtesës së Komunë

– Rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia.

– Rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE

– Rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore

– Rruga “Ukshin Hoti”

– Rruga “Robert Doll” .