Nesër, me datë 14.08.2020, në Seancën plenare të Kuvendit të Kosovës do të shqyrtohet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, COVID-19. Ky ligj është i një rëndësie vitale, sepse përmes tij krijohen mundësitë ligjore për zbatimin e Programit për Rimëkëmbje Ekonomike dhe rigjallërimin e ekonomisë së vendit tonë.
Kështu ka thënë ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.
Sipas saj, ky projektligj ua mundëson qytetarëve të vendit t’i tërheqin 10% të mjeteve të tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale, duke rritur kërkesën agregate në ekonomi.
“Projektligji mundëson transferin e mjeteve nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në buxhetin e Kosovës, për t’u vënë në funksion të rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit. Përmes plotësim-ndryshimit të ligjit për Themelimin e Fondit për Garanci Kreditore, mundësohet kreditimi i ekonomisë me kushte të favorshme për bizneset dhe fermerët – përmes mbulimit të rrezikut dhe subvencionimit të normave të interesit nga Qeveria e Kosovës. Nëpërmjet ndryshimit të Ligjit për TVSh-në do të reduktohet norma e TVSh-së nga 18% në 8% për hoteleri dhe gastronomi”, thotë ministrja Bajrami.
Tutje ajo vlerëson se Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19 krijon mundësinë ligjore për Qeverinë e Kosovës që të zbatojë masa të rëndësishme të cilat do ta shtyjnë përpara procesin e rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Andaj, si ministre e Financave, u bëj thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që nesër ta votojnë këtë projekt-ligj”, ka shkruar në fund ajo. /Ballkani.info
COMMENTS