fbpx

Tensione para Referendumit serb! Forca të shtuara të KFOR-it dhe Policisë nëpër rrugët që çojnë në Veri të Kosovës!

HomeLajmeKosovë

Tensione para Referendumit serb! Forca të shtuara të KFOR-it dhe Policisë nëpër rrugët që çojnë në Veri të Kosovës!

Një ditë para se të mbahet referendumi për ndryshimet kushtetuese në Serbi, që është menduar të mbahet edhe në qytetet me shumicë serbe në Kosovë situata po vazhdon të jetë alarmante.

Sipas asaj që raporton indeksonline, nëpër rrugët të cilat dërgojnë në veri të Kosovës janë vendosur forca të shtuara të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it.

Raportohet se në fshatin Lluzhan janë vendosur forca të KFOR-it, në mbrëmjen e sontme kur pritet që nesër të mbahet referendumi. Ndërsa sot Kuvendi i Kosovës ka votuar rezolutën kundër Referendumit serb në Kosovë duke legjitimuar përdorimin e të gjitha mjeteve për ndalimin e mbajtjes së këtij referendumi në Kosovë.

Gjithashtu, indeksonline raporton se edhe në fshatin Milloshevë janë vendosur policia e Kosovës dhe po bëjnë kontrolla të rrepta.

Edhe fshati Lluzhan edhe fshati Milloshevë janë të vendosura nëpër rrugët të cilat çojnë në veri të Kosovës, njëra nëpërmjet Vushtrrisë e Mitrovicës e tjetra nëpër fshatrat e Podujevës dhe Shalës së Bajgorës.

Sipas indeksonline, alarmi i policisë së Kosovës është ndezur dhe forca të policisë së Kosovës janë parë rrugës për në Merdarë.

Në anën tjetër, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Serbi ka marrë vendim sipas të cilit votuesit nga Koosva do të mund të votojnë në vendvotimet në Kurshumli, Novi Pazar, Rashkë dhe Vranjë.

Në gjithsej 45 vendvotime do të shtohen emrat e votuesve nga Kosova të cilët mund të votojnë në referendumin për ndryshimin e Kushtetutës në fushën e drejtësisë.

Sipas asaj që shkruhet në Novosti, ky vendim ka ardhur pas rezolutës së Kuvendit të Kosovës kundër mbajtjes së këtij referendumi në Kosovë.

Në Vranjë, siç shkruan Novosti do të votojnë votuesit nga komuna e Vitisë, Gjilanit, Kamenicës dhe Novobërdës. Në Novi Pazar votuesit nga Istogu, Klina, Peja, Prizreni dhe Rahoveci. Në Kurshumli votuesit nga Fushë Kosova,  Lipjani, Prishtina, Ferizaji, Shtërpca dhe Obiliqi. Ndërsa në Rashkë ata të Vushtrisë, Zveçanit, Zubin Potokut, Mitrovicës dhe Leposaviqit.

Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar një rezolutë kundër mbajtjes së referendumit në Kosovë, por duke lejuar që serbët e Kosovës të votojnë me postë. 

COMMENTS

x