fbpx

Të gjithë kundër Avdullah Hotit për Asociacionin

HomeLajmeKosovë

Të gjithë kundër Avdullah Hotit për Asociacionin

Kryeministri Hoti po sillet i qetë para stuhisë që po ia krijojnë e gjithë sfera politike bashkë. Si kurrë më parë, Presidenti Thaçi e ish-kryeministri Kurti po mbajnë qëndrime të njëjta, kundër Hotit. Vjosa Osmani, Hashim Thaçi e Albin Kurti po brengosen se Avdullah Hoti do ta sjellë një Republikë Srpska në Kosovë.

Së fundmi, kur politika e jashtme kosovare pati dinamizëm e vëmendjen më të madhe, Presidentit Thaçi i qëlloi të merrej kryesisht me bukuritë e vendit.

Por, ditët e fundit është aktivizuar për ta kundërshtuar çështjen e Asociacionit të komunave serbe. Ai po e akuzon  kryeministrin Hotin se po flet për Asociaciononin që do ta instalojë Republikën Srpska në Kosovë. Njeriu që ka qenë pjesëmarrës në të gjitha negociatat mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel e edhe kur është nënshkruar marrëveshja për Asociacionin, thotë se në kryeqendrën evropiane po diskutohet për një temë të rrezikshme.

“Diskutimi për Asociacionin nesër në Bruksel është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës. Ndërsa, diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit tonë”, thuhej sot në reagimin e Presidencës.

Në krejt këto, pajtohet lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili vazhdimisht paraqet shqetësimet që i ka për atë që ai e quan “zajednicë”.

Sipas Hotit, Qeveria e tanishme, që e udhëheq  Hoti është e dobishme për Serbinë.

“U rikthyen te çështja e ‘Zajednicës’ dhe u zotuan për zbatimin e saj”, ka thënë Kurti dy ditë më parë.

Për Lëvizjen Vetëvendosje, kryeministri Hoti, i zgjedhur pas një vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është përfaqësues jolegjitim i Kosovës jashtë vendit.

Edhe Presidenti Thaci i bën thirrje Kuvendit, që kryeministrit Hoti të mos i lejohet të flasë në Bruksel për “çështje të brendshme të vendit”.

“Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit. Po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”, thuhej sot në njoftimin e Presidencës.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, e ka brengë, njëjtë si presidenti Thaçi, rihapjen e çështjes së Asociacionit.

“Brenga themelore sot, mendoj unë, nuk do të duhet të ishte çfarë ka ndodhur në Uashington. Brenga jonë themelore sot është se çfarë është duke ndodhur në Bruksel, sepse informatat që na vijnë çdo ditë nga zyrtarë të Brukselit janë që kemi shumë arsye për t’u brengosur”, ka thënë Osmani për Radio Evropën e Lirë javën e kaluar.

E kryeministri Hoti sot në një tyrezë ku diskutonte me shoqërinë civile, për dialogun me Serbinë, tha se Asociacioni i komunave serbe nuk do të ketë asnjëherë kompetenca ekzekutive dhe se nesër nuk do të diskutojë në Bruksel për këtë temë.

 “Nesër në Bruksel diskutohet për çështjen e obligim eve financiare. Të gjitha obligimet financiare në mes të dy shteteve, përfshirë reparacionet e luftës, pensionet. Nesër nuk diskutohet në Bruksel për Asociacionin, nesër nuk është një ditë e rrezikshme për Kosovën. Nuk jemi duke e hapur këtë marrëveshje, respektojmë një obligim kushtetues që e ka Kosova”, ka thënë Hoti, duke iu kundërpërgjigjur presidentit Hashim Thaçi, që tha se do të jetë me rrezik takimi i radhës në Bruksel.

Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova do të kushtëzojë zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë Serbe me njohjen reciproke.

Kryeministrit Hoti, përvec nga opozita dhe krerët e tjerë të shtetit, ka pengesa edhe nga partnerët e tij.

Me kreun e AAK’së, Ramush Haradinajn, ai ka pasur mosmarrëveshje që në shumicën e rasteve janë manifestuar me deklarata publike e akuza.

Haradinaj vazhdimisht e ka paralajmëruar kryeministrin Hoti dhe LDK’në se ai e lë koalicionin, nëse konsideron që diçka që nuk pajtohet ai diskutohet në dialogun me Serbinë.

COMMENTS