Tadiq thotë se Vuçiq e pranoi zyrtarisht se Kosova është e pavarur dhe ekziston si shtet

2 minutes, 31 seconds Read

“Nënshkrimi i marrëveshjes franko-gjermane nuk do të ishte një akt i njohjes formale të pavarësisë së Kosovës, por padyshim që do të ishte një akt i pranimit zyrtar të pavarësisë së Kosovës si realitet politik”, tha për “Danas”, Boris Tadiq, ish-president i Serbisë dhe lider i SDS-it. Ai shtoi se Vuçiq, në deklaratën e tij pas takimit, thjesht e ka anashkaluar këtë fakt për të paraqitur disa aspekte kyçe të takimit.

Kur u pyet për të komentuar deklaratat kontradiktore që u dëgjuan të hënën në mbrëmje, Tadiq u përgjigj se Vuçiq dhe Borrell nuk kanë deklarata kontradiktore, por Vuçiq thjesht i anashkalon për të paraqitur disa aspekte kyçe të takimit.

“Në fakt, ai thotë me këmbëngulje se duhet të arrihet ende një plan implementues për të krijuar përshtypjen në opinion se nuk ka ndodhur asgjë domethënëse dhe nuk thotë se edhe ai edhe Kurti e kanë pranuar përmbajtjen e marrëveshjes ashtu siç ka qenë dhe e cila u publikua mbrëmë. Ai po përpiqet të krijojë konfuzion në opinion dhe dalëngadalë t’i “fusë në ujë të ftohtë qytetarët tanë”, thekson Tadiq, transmeton Ballkani.info.

Ai shton se promovimi i sotëm i donacionit të BE-së ka për qëllim përgatitjen e publikut për nënshkrimin e një marrëveshjeje që e trajton Kosovën si shtet të pavarur dhe nuk e pengon anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në.

“Manipulimi që do të jemi dëshmitarë në ditët në vijim do të reduktohet në themelimin e Asociacionit si një arritje e madhe dhe përfitimet materiale që Serbia do të ketë nga braktisja e interesave të saj legjitime kombëtare në Kosovë”, shpjegon Tadiq, duke shtuar se kjo nuk është një marrëveshje që ofron një kompromis, sepse në tekstin e marrëveshjes është e qartë se marrëveshja synon ekskluzivisht në të mirën e Kosovës dhe se me nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë, Serbia po jep gjithçka dhe nuk po merr asgjë.

Ai mendon se është tragjike që regjimi i Vuçiqit e paraqet Asociacionin si parakusht për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, duke krijuar kështu përshtypjen se kjo është diçka që po e merr pala serbe.

“Pra për dy marrëveshje në të cilat gjithçka i lihet palës shqiptare, Serbia merr Asociacionin, që ende askush nuk e di saktësisht se çfarë do të thotë, por është e sigurt që nuk është një institucion që siguron mbijetesën afatgjatë të shoqërisë sonë dhe popullit tonë në Kosovë. Në fund të fundit, këtë e konfirmojnë zyrtarët e pesëshes, të cilët thonë qartë se Asociacioni nuk mund të ketë kompetencën e Republika Srpskas”, vlerëson ish-presidenti i Serbisë. /Ballkani.inf

Publikime te ngjashme