“Sunitët e shiitët”, ndarja e madhe në Islam që ndihet edhe në Kosovë

HomeKosovë

“Sunitët e shiitët”, ndarja e madhe në Islam që ndihet edhe në Kosovë

Feja islame ka dy degë të mëdha, që u etabluan që në shekullin e parë të ekzistencës së Islamit. Sunitët dhe shiitët përmbajnë shumicën e myslimanëve në botë, me Islamin suni që është grupi mbizotërues në aspektin e numrit të ndjekësve duke përbërë deri në 90% të trupit mysliman në botë. I njëjti mozaik i përkatësisë fetare brendapërbrenda Islamit është edhe në Kosovë. Shumica dërrmuese e besimtarëve myslimanë në Kosovë i përkasin sunizmit.

Por, ka edhe një pakicë shumë të vogël, gati të pavërejtshme, të shiitëve në Kosovë, që jetën fetare e organizojnë jashtë Bashkësisë Islame, e cila përfaqëson islamin sunit e deri vonë edhe tarikatet ekzistuese në vend, përfaqësuesit e të cilëve tashmë kanë themeluar Bashkësinë e Tarikateve.

Shiitët kosovar

Ikballe Berisha Huduti, pa dyshim, është figura më prezente në jetën publike që i përket islamit shiit, ndonëse ajo nuk është përfaqësuese e këtij komuniteti në Kosovë e as teologe me profesion.

Në një prononcim për Gazetën Online “Reporteri.net”, Berisha-Huduti thotë se dallimet ndërmjet sunitëve e shiitëve kryesisht burojnë nga pikëpamjet e ndryshme rreth përplasjes së Aliut, kushëriri i Profetit Muhamed dhe kalifi i katërt, dhe Muaviut, udhëheqësit të dinastisë emevite, për udhëheqjen e shtetit islam.

Por, sipas Berisha-Hudutit, ndërmjet këtyre dy degëve të ‘islamit muhamedan’ nuk ka dallime në aspekte doktrinare, qoftë ato të besimit në njëshmërinë e Zotit, shpalljen hyjnore të Muhamedit apo të tjera aspekte të përshpirtshmërisë islame.

“Sa i përket Sunizmit dhe Shiizmit, janë dy degë nga trungu i fesë Islame dhe me dallime ndaj disa qëndrimeve dhe mendimeve rreth shpirtërores dhe trashëgimisë islame, rrënjët i kanë në të njëjtin vend dhe janë rritur në trungun e Islamit Muhamedian; dhe përfaqësojnë dy degë të traditës shpirtërore dhe interpretuese islame. Dallimet mes sunive dhe shiiave nuk janë në thelb të natyrës doktrinare, ngase të dyja palët besojnë në unitetin dhe njëshmërinë e Allahut, relevatën e Hazreti Muhammedit dhe statusin e tij si Vulë e të Dërguarve dhe Lajmëtarëve të fesë, e besojnë të njëjtin Kuran Fisnik si shpallje hyjnore të pamodifikueshme, e besojnë Ditën e Gjykimit dhe pesë shtyllat (shartet) e Islamit: Shehadetin, namazin, zeqatin, agjërimin dhe haxhin”, tha Berisha-Huduti për Reporteri.net.

Ndërkaq, në kontekstin kosovar, sipas Berisha-Hudutit interpretimet shiite së pari u shfaqën në trojet shqiptare në shekullin XIV e atëbotë me ardhjen e Perandorisë Osmane, që i përkiste degës sunite, ndonëse ishte më tolerante në aspektin doktrinar, sunitët e shiitët patën marrëdhënie të mira.

Por, Berisha-Huduti thotë se shiitët tash janë të diskriminuar po aq sa janë edhe mysilimanët sufi, të cilët janë besimtarët me bindje më heterodokse e sinkretike brenda Islamit, për interpretimet e të cilëve akademia e media perëndimore ka shkruar gjerë e gjatë.

“Muslimanët shiit në Kosovë për mendimin tim nuk e shohin vetën më pak apo më shumë të diskriminuar se sa pasues tjerë si muslimanët sufi, tarikatxhinjë të Kosovës. Në Kosovë dominon një frymë konservative në Bashkësinë Islame të Kosovës si dhe një monopol udhëheqësie sepse fenë Islame e kanë bërë pronë të vetën si nga aspekti i pasurive hajrateve të Vakufit që posedon BIK si nga aspekti predikimit, që kohëve të fundit është ndikuar nga rryma selefite, vehabite ngase gjeneratat e reja shkollohen në Arabinë Saudite”, tha Berisha-Huduti.

Shiitët nuk kanë ende ndonjë institucion përfaqësues që merret me mbrojtjen dhe promovimin e besimtarëve, numri i të cilëve nuk dihet saktësisht.

BIK-u s’flet për shiitët

Gazeta Online “Reporteri.net” thotë ka tentuar të marrë një përgjigje në lidhje me qëndrimin zyrtar të BIK-ut mbi interpretimet e shiizmit.

Të pyetur rreth qëndrimeve të BIK-ut, si institucion përfaqësues i islamit sunit në Kosovë, mbi përkatësinë myslimane të shiitëve, ata nuk janë përgjigjur.

Por, Berisha-Huduti ka kritika për institucionin që udhëhiqet nga Myftiu Naim Tërnava duke sqaruar se, sipas saj, BIK-u nuk përfshinë të gjithë myslimanët.

“Unë mendoj se Bashkësia Islame e Kosovës sipas emrit që zotëron, nuk i përfshinë të gjithë myslimanët besimtarë të Kosovës, dhe nuk krijon hapësirën për harmoni dhe tolerancë ndër sektare. Këtë e them sepse Tarikatet e Kosovës deri para disa viteve kanë qenë në ombrellën e Bashkësisë Islame dhe kohëve të fundit fatkeqësisht janë ndarë në një mënyrë të palakmueshme dhe të pahijshme pa i ndarë pasuritë e përbashkëta që i kanë pasur”, tha Berisha Huduti.

Lexo edhe:  U tha se babi i saj u përfshi në vjedhjen e 2 milionë eurove, reagon Hajrije Gashi pas shkarkimit nga zv.kryeministrja Balaj

Ndërkaq, teologu Bekim Jashari, që është edhe krye-imam i BIK-ut në Podujevë, në një prononcim për Reporteri.net, tha se dallimet sunite e shiite në Kosovë nuk shkaktojnë telashe dhe të gjithë gëzojnë të drejta të plota.

“Se a janë a nuk janë mysliman, botëkuptimi im mbi këtë çështje është se të thuash për dikë se është apo s’është besimtarë, kjo çështje i takon Zotit, secili ka përcaktimin e tij të brendshëm shpirtëror në çështjen e besimit. Tekfiri apo konkludimi për dikë se është a s’është musliman është i dëmshëm, i rrezikshëm dhe jo kompetencë jona. Këtë qasje të tekfirit esencë e kanë grupet terroriste si ISIS dhe AL Nusra. Për mendimin tim, Kosova dhe ne shqiptarët me shumicë të besimit islam nuk duhet në asnjë mënyrë të jemi pjesë e debateve dhe konflikteve ndër sektare në botën islame. Ne kemi mendësinë e kuptimit dhe komentimit islam pa u ndikuar nga dallimet midis fraksioneve kudo që janë”, tha Jashari.

Tutje, hoxha nga Llapi tha se në botëkuptime doktrinare ka shumë të përbashkëta ndërmjet dy degëve të mëdha të Islamit.

“Dallimet mes tyre janë dhe datojnë moti, por tani janë të dukshme më tepër. Ne sunnitët besojmë se pasardhës i Muhamedit është Ebu Bekri, kurse shiat e shohin imam Aliun. Në Kuran janë të një mendimi si shumica dërrmuese, kurse në çështje politike dallojnë. Nuk mund të konkludojmë se dallimi është në thelbin e besimit në Zotin, Kuranin dhe Muhamedin a s. Në komentimin dhe interpretimin e Kuranit ka mendime të ndryshme edhe brenda sunnizmit, por edhe brenda shiizmit”, tha Jashari.

Për çështjen e islamit suni e shii, Gazeta Online “Reporteri.net”, ka tentuar të ketë edhe një pikëvështrim nga Bashkësia e Tarikatave, por të cilët nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës.

Historia e përgjakshme e dallimeve fetare

Ndarja ndërmjet sunitëve e shiitëve daton që në fillet e para të Islamit pas vdekjes së profetit Muhamed, i cili nuk la asnjë trashëgimtar mashkull.

Përplasja e parë doktrinare erdhi rreth pasardhësit të profetit Muhamed si lider politik. Shiitët besonin në trashëgiminë e gjakut duke theksuar se pasardhësi i Muhamedit në cilësinë e kalifatit duhej të buronte vetëm nga familja e Profetit (Ehli Bejti). Ata propagandonin se Aliu, kushëri i profetit që ishte martuar me Fatimën, vajzën e Muhamedit, do të duhej të vinte në pushtet si udhëheqës i besimtarëve.

Ndryshe mendonin shumica e myslimanëve të atëhershëm, të cilët theksonin se Ebu Bekri, shok i afërt i profetit, duhej të ishte kalifi i parë pas vdekjes së Muhamedit. Në fund, besimtarët mysliman i besuan Ebu Bekrit udhëheqjen e kalifatit islamik duke marrë titullin udhëheqës i besimtarëve (emir al muminim).

Aliu do të bëhej kalifi i katërt mysliman pas vdekjes së Ebu Bekrit e vrasjes së Omerit e Uthmanit, të cilët e pësuan me jetë përplasjet mes grupeve rreth bazave të fesë së Islamit.

E përplasja doktrinore sunite e shite u shndërrua në gjakderdhje kur pas në vitin 661 vetë Aliu u vra përderisa ishte kalif i shtetit islam, që atëbotë shtrihej në gati tërë Lindjen e Mesme.

Lufta sektare brenda Islamit do t’i merrte edhe kokat e familjes së Aliut. Në vitin 681, Hysejni, i biri i Aliut e nipi i profetit Muhamed, së bashku me familjen e ndjekësit e tij do të vritej nga Jezidi, i biri i Muaviut, që tashmë kishte krijuar dinastinë emevite.

Martizimi i Hysejnit në Qerbela do të kthehej në ngjarjen fundamentale të shiizmit dhe për çdo vit shiitët, por edhe një pjesë e besimtarëve sufi, përkujtojnë vrasjen e familjes së Profetit.

Ashuret, që festohen edhe në Kosovë, është data më solemne në kalendarin shiit.

Përplasjet e përgjakshme sunite e shite vazhdojnë ende edhe pas 14 shekujve, me Sirinë e Irakun si aktet e fundit në teatrin e vdekjes sektare./reporteri

COMMENTS