SPAK urdhër-arrest me burg, Vangjush Dako vetëdorëzohet në Policinë e Tiranës

1 minute, 7 seconds Read

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka lëshuar urdhër arresti për ish kreun e Bashkisë së Durrësit.

Dako është vetëdorëzuar rreth orës 16:00 në Tiranë, duke u vënë në dispozicion të drejtësisë dhe hetimeve të nisura ndaj tij. A2 CNN raporton se SPAK ka firmos urdhër arrest përveç Dakos edhe për ish zyrtarë të tjerë të Bashkisë. Ndër personat e tjerë që është lëshuar urdhër arrest është ish-drejtori i Urbanistikës, Adhurim Qahajaj.

Gazetari Armand Bajrami raporton se urdhër arrestet janë lëshuar për abuzimet me një leje ndërtimi të disa viteve më parë për një pallat të dëmtuar nga tërmeti. Sipas burimeve jozyrtare, janë lëshuar 10 masa në total, nga të cilat 7 janë masa sigurie “arrest në burg” të dhëna në mungesë, ndërsa tre të tjerat më të buta.

Pritet që SPAK të dalë me një njoftim për mediat, për të mësuar më shumë detaje lidhur me këtë operacion.

Vangjush Dako ka drejtuar Bashkinë e Durrësit për periudhën 2007–2019. Ndërkohë në korrik të 2019 Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë “Non Grata”, duke i ndaluar hyrjen atij dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Publikime te ngjashme