fbpx

Sot skadon afati i qortimeve! A do këtë marrëveshje apo gjoba për targat ilegale në veri?

HomeLajmeKosovë

Sot skadon afati i qortimeve! A do këtë marrëveshje apo gjoba për targat ilegale në veri?

21 ditëshi i vendosur si afat nga Qeveria e Kosovës për t’i qortuar shoferët e veturave me targa ilegale, përfundon sot në orën 00:00.

Nga mesnata e sotme duhet të fillohet me shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për të gjithë ata qytetarë që zihen duke ngarë veturat e tyre me targat ilegale të lëshuara nga MPB-ja e Serbisë, e të cilat mbajnë akronime të qyteteve të Kosovës.

Qeveria u dha afat qytetarëve serbë që gjatë kësaj periudhe t’i konvertojnë targat me ato të Republikës së Kosovës.

Mirëpo, gjatë kësaj periudhe, numër i papërfillshëm i tyre e dëgjuan kryeministrin Albin Kurti, i cili pati adresime edhe në gjuhën e tyre amtare.

Por, që nga 1 nëntori, kur qeveria doli me njoftimin për shkallëzim të zbatimit të vendimit për targa, presioni ndërkombëtar nuk u ndal për asnjë moment.

Kërkesa e SHBA-së dhe e shteteve të BE-së ishte që vendimi të shtyhet për 1 vit, kërkesë që shefi i ekzekutivit nuk e përfilli.

Ftesa e fundit për gjetjen e zgjidhjes për këtë çështje erdhi nga BE-ja, gjegjësisht nga Shefi i Politikës së Jashtme dhe i Sigurisë së BE-së, Josep Borrell.

Zëdhënësi i tij, Peter Stano, në një konferencë për media, tha se u janë dërguar ftesa kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për një takim para 21 nëntorit.

Ftesat i konfirmuan dy liderët, mirëpo nuk treguan ende se kur do të zhvillohet ky takim.

Nga zyra për informim e Kryeministrisë së Kosovës, u tha se takimi me gjasë do të zhvillohet të dielën. Edhe nga presidenca serbe është thënë se takimi do të zhvillohet, por pa treguar se kur.

Mirëpo, mediat kanë raportuar dje se takimi, megjithatë, mund të zhvillohet të hënën, kur edhe hyn në fuqi masa e re ndëshkuese për shoferët e veturave me targa ilegale – gjë të cilën bashkësia ndërkombëtare po dëshiron ta shmangë me çdo kusht.

Drejtori rajonal i Mitrovicës Veriore, Nenad Gjuriq, u suspendua nga puna më 3 nëntor, pasi i njëjti kishte refuzuar të bëjë shqiptimin e qortimeve ndaj qytetarëve serbë për targat.

E pas këtij vendimi, serbët e udhëhequr nga Lista Serbe, e cila dirigjohet nga Beogradi, u bënë bashkë për t’u larguar nga institucionet e Republikës së Kosovës, raporton Klankosova.tv.

Dorëheqje dhanë edhe kryetarët e katër komunave veriore, çka detyroi KQZ-në të organizojë zgjedhje të parakohshme atje më 18 dhjetor.

Lista Serbe ka thënë se do t’i bojkotojë këto zgjedhje, sikurse që do t’i bojkotojnë edhe votuesit e tyre, thanë ata.

Edhe 10 deputetët e kësaj partie dhanë dorëheqje nga Kuvendi i Kosovës, teksa paralajmëruan se nuk do të hyjnë në institucione derisa të tërhiqet vendimi për gjobitje për çështjen e targave, por edhe të nisë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Megjithatë, me rastin e zëvendësimit të deputetëve të dorëhequr, kjo parti vendosi të shkojë në Kuvend dhe t’i marrë 9 ulëse me emra të rinj (nuk i mori 10 sepse garoi me vetëm 19 kandidatë në zgjedhjet e fundit).

Vendimi i përfaqësuesve të Listës Serbe për t’u betuar në Kuvendin e Kosovës, sipas kreut të zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, “nuk nënkupton në asnjë mënyrë kthimin e Listës Serbe” në institucionet e Kosovës, por “pengim të planit të Kurtit për plotësimin e ulëseve të tyre me serbët që mbështesin Prishtinën, jo Beogradin”.

Se a do të ketë marrëveshje për shtyrje të afatit për konvertim të targave për 1 vit, gjoba, apo ndonjë zgjidhje të tretë – mbetet të shihet në orët në vijim!