fbpx

Situata në veri aktivizon presidenten e Kosovës, takon edhe ambasadorin amerikan

HomeLajmeKosovë

Situata në veri aktivizon presidenten e Kosovës, takon edhe ambasadorin amerikan

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier, më te cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Sipas njoftimit të Presidencës, presidentja Osmani në këtë takim ka nënvizuar përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët evropianë.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës të Drejtorisë Mitrovica – Veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale. Si reagim ndaj kësaj, Lista Serbe më 5 nëntor ftoi takim të jashtëzakonshëm me zyrtarë serbë – pjesë e institucioneve të Kosovës. Pas kësaj mbledhje u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e atë gjyqësor. Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS, duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.