fbpx

Sipas Jasharajt për gjendjën me grevën e filluar, i vetmi fajtor është Albin Kurti!

HomeLajmeKosovë

Sipas Jasharajt për gjendjën me grevën e filluar, i vetmi fajtor është Albin Kurti!

Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se i vetmi fajtor për grevat është kryeministri Albin Kurti. Madje, ai ka shtuar se për shkak të nxitjes nga ana e qeverisë si shkak i pasigurisë, ai në rrugë po shoqërohet nga shokët. Para anëtarëve të Komisionit për Arsim, Jasharaj tha se Kurti e ka bullizuar atë në kuvend për lutjen që i kishte bërë si vëlla. Në këtë formë ai tha se do të shkoj në varr edhe si hero i shekullit. Deputetët e shumicës kanë kërkuar që të mos përmendet kryeministri dhe të ndalen sot grevat. Ndërkaq anëtarë nga opozita kanë akuzuar shumicën për presion ndaj sindikalistëve.

Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj në mbledhjen e Komisionit për Arsim theksoi se figura e mësuesit është ruajtur vetëm në vitet e ’90-ta, ku në mesin e tyre që po shahen është edhe vet ai.

Jasharaj: Uroj që disa deputetë e kryeministri të kenë atmosferën që e kam unë në shtëpi

“Partia në pushtet bashkë me eksponentët e vet, madje edhe me deputetë, madje edhe ministren Nagavci që duhet të jetë personi i parë që duhet të dërgojë mesazhe qetësie, ndodhi e kundërta. U tentua që Rrahman Jasharaj të shpallet armik i vendit, një njeri që tërë jetën ia kushtoi arsimit dhe asnjëherë nuk u distancua asnjë deputet i pozitës e as kryeministri. Madje uroj që disa deputetëve dhe kryeministrit dhe të tjerëve të kenë një atmosferë të njëjtë që e kam unë në shtëpi dhe në familje. Uroj që kjo të ju ndodhë nga Zoti”, ka deklaruar Jasharaj.

Ai shtoi se për nëntë muaj ia kanë dërguar më shumë se 80 shkresa qeverisë e deputetëve, ku Jasharaj shtoi se është keqpërdorur lutja e tyre. Para anëtarëve të Komisionit të Arsimit, ai tha se ka tendencë që të ngulfaten e shuhen sindikatat.

Jasharaj: Kryeministri më bullizoi duke krijuar humor e satirë

“82 shkresa i ka dërguar BSPK, dhjetëra të tjera SBAShK, dhjetëra të tjerët, por asnjë takim serioz nuk e kemi pasur. Jemi të shokuar, takimi i vetëm që e kishim me kryeministrin, ku ishte edhe ministri Murati dhe zonja Nagavci, takimi dy orësh doli pa asnjë rezultat, doli në stilin merr ose le. Shprehjet që ne kemi thënë dhe pikë dhe kjo nuk ishte më e keqja. Por e patë edhe para mediave edhe në parlament thua se u zbulua diçka që nuk ka qenë kurrë, fjala ‘vëlla’ të cilën e përdora në mënyrën më të mirë. E përdora sepse në Kosovë kur duam të bisedojmë pa hile, i themi njëri-tjetrit po bisedojmë si vëlla. Kryeministri që shihet që nuk e qan fare kokën për situata dhe dëshiron të krijojë vetëm humor e satirë, më bullizoi edhe në parlament duke thënë ‘erdh dhe mu lut si vëlla’. Por ai e harroi fjalinë e dytë kur i thash po të lus si vëlla e kryeministër”, ka shtuar ai.

Ai pati kritika edhe për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, ku tha se me deklaratat e saj nxitëse ka lënduar figurën e mësuesit.

Si shkak i bullizimeve, Jasharaj the se po rrezikohet edhe në rrugë.

Jasharaj: I vetmi fajtor është Albin Kurti

“Tash nuk mund të dalë në rrugë për shkak të mos-distancimit të qeverisë dhe duke i nxitur madje me diskutime. Mua duhet të më përcjellin shokët në këtë moshë, sepse thjesht ndihem i pasigurt me ato inskenime që mi bëjnë në shkolla. Ku njerëzit më duartrokasin dhe dy kolegë që dolën se janë LVV vazhdimisht institonin ‘kryetar mbylle grevën’. Dhe ai plaku i ngratë mendoi se unë jam ai që e mbylli grevën. Ju e dini, por disave nuk po ju konvenon, Rrahman Jasharaj as nuk e ka shpall e as mbyll grevën. Anëtarësia pa iu plotësuar kushtet nuk e mbyll grevën. Dhe po e them publikisht që i vetmi fajtor është Albin Kurti”, deklaroi Jasharaj.

Para anëtarëve të Komisionit për Arsim, Jasharaj deklaroi se do të shkoj në varr edhe si hero i kohës.

Jasharaj: Do të shkoj në varr si hero i kohës

“Po më vjen mirë që edhe kur të vdes do të mbesin disa fjalë të mia. Dhe po e shoh tash në qytet njerëzit po bëjnë hajgare me fjalën ‘vëlla’, ‘mos më thuaj vëlla’. Ja arritja e kryeministrit Kurti, që ta bëjë të vlefshme fjalën vëlla. Dhe besoni duke më sulmuar pa dashur, po më bëni hero të kohës, të cilën nuk e kam dashur. Por, faleminderit do të shkoj në varr si hero i kohës të shekullit 21 dhe kohës kur kryeministër ishte Albin Kurti”, ka vijuar me deklarimin.

Në anën tjetër, kryetari i komisionit, Ardian Gola ka thënë se është interes jetik të ruhet autoriteti dhe integriteti i mësuesit.

Ai shtoi se nuk është mirë që të përmenden emri i kryeministrit, për këtë, Jasharaj tha se nuk do të flas më.

Jasharaj-Golës: Po ta jap besën që nuk flas më sot

“Nuk do të doja që të përmendni emra specifik, emrat e përveçëm në mungesë…

Jasharaj: A isha unë në parlament kur u bullizova. Nëse ma ndalni fjalën, unë po shkoj në shtëpi.

Gola: Për shkak se nuk është as kryeministri as ministri të mbrojnë veten, ti ngrite shqetësimin pa përmendur emrat e përveçëm.

Jasharaj: Po ta jap besën që nuk flas më sot”, kanë thënë ata.

Ani pse dha besën në Komisionin për Arsim se nuk do të flas më, kur iu kërkua nga kryetari Ardian Gola që të mos përmend emrin e kryeministrit, Jasharaj vazhdoi të përgjigjet në pyetjet në lidhje me kërkesat që kanë për të dalë nga greva.

Ai tha se duke vlerësuar situatën, kanë vlerësuar se qeveria ka mundësi të ndihmojë mësimdhënësit.

Ndërkaq Ymer Ymeri nga SBAShK ka treguar për kërkesat qe kanë paraqitur edhe në takimet e fundit me Avokatin e Popullit.

Ymeri: Të ketë rritje të pagës nga shtatori deri në dhjetor për 10,45 për qind

“Ajo pako prej 50 euro që ka ofruar qeveria deri në muajin dhjetor të vazhdojë dhe të fillojë nga muaji shtator. Dhe të ketë një rritje të pagës nga shtatori deri në dhjetor 10,45 për qind, aq sa ka qenë rritja ekonomike në vitin 2022. Është një plotësim i kërkesave për pikën që na tregon për 100 euro. Ndërkaq, nga muaji janar kemi kërkuar siç e kemi në Kontratë Kolektive të futet shkalla e inflacionit që është në vitin 2022 dhe shkalla e rritjes ekonomike sa do të jetë”, ka deklaruar Ymeri.

Ai theksoi se janë 13 shkolla të plota dhe dy prej klasës 1 deri në 5 që po mbajnë mësim.

Anëtari i Komisionit për Arsim, Jahja Kokaj e ka lutur Rrahman Jasharajn që të mbyll grevën sot.

Kokaj: Të ndërpreism sot grevën

“Hajde t’i ndërpresim sot e pastaj të gjendet modaliteti. Për Zotin gjendet modaliteti”, e ka lutur ai.

Për këtë ka reaguar sërish kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së ku tha se me këto deklarime po cënohet figura e tij.

Sipas Jasharajt, ai nuk e ka shpallur grevën e as nuk mund ta mbyll, por këtë e vendos anëtarësia.

Ndërkohë deputetët e shumicës janë kritikuar për presion ndaj Këshillit të SBAShK-ut dhe degradim të këtij takimi.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati tha se ky diskutim është turp.

Kastrati: Është marre ky lloj diskutimi

“Është marre ky lloj diskutimi sidomos kur kemi të bëjmë me këta njerëz që në vend se neve të na dridhen duart, këtyre po ju dridhen duart kur po flasin para neve, po ndihen sikur në gjyq. Është e turpshme… Ne vazhdojmë të marrim 160 euro për një orë duke ju shitur mend juve, leksione e pallavra për të treguar këtu se kush është këtu më akademik”, ka deklaruar Kastrati.

Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj ka përjetuar molisje gjatë kohës sa po diskutohet për grevat në Komisionin për Arsim. Jasharajt i është ofruar ujë.

Kujtojmë se nga data 25 e muajit të kaluar, me vendim të BSPK-së është shpallur greva me kërkesën prej 100 euro deri në miratimin e Ligjit për Paga.

x