Deputeti i komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq, njëherësh edhe nënkryetar i Listës Serbe, ka kërcënuar duke thënë se populli serb nuk mund t’i tolerojë veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Për kryeministrin, Simiq ka thënë se nuk dëshiron të shohë serbë në Kosovë.
Simiq këto deklarata i ka dhënë nëpërmjet një video-incizimi dërguar mediumit serb, Tanjug.
I njëjti ka pretenduar se pakënaqësia e popullit serb është e madhe, ndonëse ka shtuar se do të synojë të gjejë forma paqësore të shpërfaqjes së pakënaqësisë.
Numri dy i Listës Serbe ka thënë se subjekti i tij politik do të takohet me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës që veprojnë në veri të vendit.
“Do të analizojmë situatën në të cilën ndodhemi, por edhe ngjarjet që do të pasojnë. Do të përcjellim qëndrimin e popullit serb, i cili nuk do dhe nuk mund ta tolerojë atë që Albin Kurti po bën këto ditë në fushë. Ai po tregon qëndrimin e tij. Natyra e vërtetë, ai po tregon se nuk dëshiron serb në Kosovë”, tha Simiq.
Deklarimi i tij vjen në të njëjtën ditë kur kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se serbët në Kosovë do të fillojnë protestat pasnesër lidhur me vendimin për targat.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim në tri faza për çështjen e targave. Faza e parë, që do të zgjasë deri më 21 nëntor, përfshin fletëqortimet e qytetarëve serbë që nuk kanë konvertuar targat në KRS. Faza e dytë, që fillon nga 21 nëntori deri më 21 janar, parasheh dënimin e serbëve me nga 150 euro nëse nuk kthejnë targat e tyre në ato që qarkullojnë në Republikën e Kosovës. Ndërkaq, nga 21 janari deri më 21 prill pritet të testohen targa të përkohshme RKS në veturat serbe.
Pas 21 janarit, synohet të eliminohen në tërësi targat ilegale në territorin e Kosovës.