Si mund të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi? Profesori amerikan tregon tri mënyrat për normalizimin e raporteve

2 minutes, 55 seconds Read

Profesori amerikan, Alon Ben Meir ka treguar se si mund të arrihet normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ben Meir në një postim në rrjetin social “Twitter”, ka thënë se të gjitha konfliktet në lidhje me pjesën veriore të Kosovës janë të zgjidhshme dhe sipas tij, kjo arrihet vetëm nëse të dyja palët bëjnë lëshime të caktuara.

“Të gjitha çështjet konfliktuale në lidhje me pjesën veriore të Kosovës janë të zgjidhshme me kusht që të dy palët, Kosova dhe Serbi, të bëjnë lëshime të caktuara të nevojshme për të arritur një marrëveshje. Por për sa kohë që ata mbajnë pozicionin e tyre aktual, sigurisht që nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje”, ka shkruar ai.

Njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, ka folur edhe për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se njohja reciproke duhet të vendoset që nga fillimi i negociatave.

Nëse palët nuk bien dakord për njohje reciproke në fillim të bisedimeve, atëherë sipas profesorit amerikanë kjo është humbje kohe në këtë proces.

“Negociatat mes Kosovës dhe Serbisë duhet të fillojnë me mirëkuptimin se në fund të procesit, ata bien dakord për një njohje reciproke. Ky kusht duhet të vendoset që nga fillimi i negociatave. Përndryshe, për mendimin tim, do të jetë përsëri humbje kohe”, ka shkruar ai.

Më tej Ben Meir tregon se çfarë duhet të bëjnë SHBA-ja dhe BE-ja, që të mund të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse SHBA-ja dhe BE-ja janë të përgatitura të bëjnë presion nga njëra anë dhe të ofrojnë disa nxitje nga ana tjetër, veçanërisht në lidhje me perspektivën e anëtarësimit eventual të Kosovës dhe Serbisë në BE, mund të arrihet një marrëveshje”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Ndryshe, Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do ta vizitojë Kosovën më 11 janar.

Sipas njoftimit të DASH-it, Chollet do të takojë në Prishtinë zyrtarët qeveritarë, liderët e tjerë politikë dhe shoqërinë civile, për t’i diskutuar përpjekjet e SHBA-së për ta ndihmuar avancimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik, “përfshirë këtu arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, që në qendër do ta kishte njohjen reciproke”.

Pas Prishtinës, Chollet viziton Beogradin. Atje, më 12 janar, ku përveç sigurisë energjetike, integrimin ekonomik rajonal dhe përparimin e Serbisë drejt synimit për anëtarësim në BE, temë diskutimi do të jetë edhe dialogu Kosovë-Serbi./Demokracia.com

Publikime te ngjashme