Shpërthimi me tritol në Sarandë, arrestohet autori i dyshuar

1 minute, 12 seconds Read

Shpërtheu me tritol një hotel në Sarandë, arrestohet autori i dyshuar dhe zbardhet ngjarja nga Policia e Shtetit.

Grupi i posaçëm hetimor, brenda disa orëve punë intensive profesionale hetimore, zbardhi ngjarjen e ndodhur mëngjesin e djeshëm në Sarandë, njofton policia.

Për rreth 12 orë, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe ndalimi i autorit të dyshuar, shtetasit S. Ç., 36 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, me pasoja të rënda materiale.

“Ky shtetas, mëngjesin e djeshëm, në lagjen nr. 1, Sarandë, dyshohet se ka vendosur një sasi lënde eksplozive, në hotelin që babai i tij, shtetasi S. Ç., 63 vjeç, kishte në bashkëpronësi me shtetasin E. Dh., për shkak të një procesi gjyqësor që kishin 63-vjeçari dhe shtetasi E. Dh., proces i nisur që në vitin 2002, dhe në përfundim të të cilit, pjesa më e madhe e këtij hoteli do të kalonte në pronësi të shtetasit E. Dh”, shton policia, raporton Telegrafi Shqipëri.

Si pasojë e shpërthimit me eksploziv, u shkatërrua plotësisht hoteli i ndërtuar në vitin 1996 dhe gjithashtu u shkaktuan dëmtime të fasadave të objekteve të tjera në afërsi të hotelit. Nga shpërthimi nuk pati asnjë shtetas të dëmtuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme./Telegrafi

Publikime te ngjashme