fbpx

Shkallëzimi i vendimit për targat, veprim i matur politik i Kurtit

HomeLajmeKosovë

Shkallëzimi i vendimit për targat, veprim i matur politik i Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përfundimisht ka dëgjuar këshillat e ndërkombëtarëve dhe ka pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.

Shkallëzimi tjetër do të jetë vendosja për dy muaj e tabelave provuese dhe vetëm pas 21 prillit të vitit 2023 Kurti tha se do të konfiskohen targat ilegale KM.

“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Më pas, deri me 21 janar do të shpërndahen gjoba. Dhe pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, shpjegoj Kurti në mbledhje të qeverisë.

Kryeministri e ka pranuar se ky ndryshim vendimi po vjen, si përgjigje e qeverisë “për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë”.

Qeveria e Kosovës kishte shtyrë afatin dy herë më parë, me kërkesën e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ka vendosur prapë ta modifikojë vendimin, meqë ndërkombëtarët e kërkuan si masë për t’iu ikur tensioneve në Veri.

Vendimin e Qeverisë, të votuar unanimisht, për sekuencim të masave për targat ilegale, e ka sqaruar në konferencë për medja tutje kryeministri.

“E pamë se ishte më së miri të bëjmë propozimin i cili u miratua”, pohoi ai, derisa ka shtuar se këtë vendim nuk e konsideron ndryshim të vendimit paraprak.

“Zbatimi fillon, mirëpo do të kemi sekuencim dhe përshkallëzim të sanksioneve për mos zbatueshmëri të ligjit dhe të vendimit qeveritar”.

Mos harroni ka thënë Kurti, “nga 1 nëntori do ketë qortime”.

Një shtyrje të vendimit, pos ndërkombëtarëve ia kanë kërkuar edhe personalitete akademike e njerëz që e njohin situatën politike në Kosovë.

Nëse do fillonte zbatimi e më pas do kishte tensione, do nënkuptohej se ato erdhën nga këmbëngulja e Kosovës e jo nga destruktiviteti i Serbisë.

Kurti ka folur edhe për takimin me ambasadorët e QUINT-it që e kishte para mbledhjes së Qeverisë.

Tha se ata nuk e kanë ditur fare këtë propozim të qeverisë dhe qëndrimi i tyre ka qenë që të shtyhet për 10 muaj.

“Ne konsideruam që këtë vendim nuk është mirë ta lëmë për të hënën dhe edhe një herë të bëjmë thirrje që të konvertojmë targat”.

Pse ishte problematike kjo shtyrje?

Fillimisht sepse Kosova ka të drejtë të vendos reciprocitet në targa dhe këtë të drejtë e ka fituar në vitin 2011 në marrëveshjen e parë për lëvizje të lirë dhe më pas edhe në vitin 2016.

Gjithsesi, për shkak të momentit, mundësisë për destabilizim ndërkombëtarët filluan presionin ndaj Kuritt që ta shtyjë vendimin.

Problem tjetër është se Kurti në diskursin e tij politik, gjithmonë ka thënë se nuk ekziston presioni ndërkombëtar.

Dikur në opozitë, ai deklaronte se qytetarët nuk duhet ta hanë këtë shpjegim se qeveria merr vendime nga presioni ndërkombëtar.

“Mendoj se tepër kollaj po e blejmë këtë që paska pasur presion dhe s’paskan pasur faj që e kanë pranuar”, thotë ai në një intervistë të vitit 2012.

Kurti madje çuditje, “po si bëhet që këtë presion nuk e ka Serbia po Kosova”, pyeste.

Më pas shtonte se presioni që vjen nga ndërkombëtarët është presion për politikanë e jo për qytetarët.

“Dhe e dyta që mbase është më e rëndësishme si duket konkretisht, sepse është e qartë që ky presion nuk është ndaj popullit të Kosovës, është ndaj këtyre politikanëve për të cilët duket se ndërkombëtarët dinë shumë më tepër gjëra se sa vetë populli”, pohonte Kurti duke aluduar në faktin se ata janë të korruptuar dhe rrjedhimisht shantazhohen.

“Si duket ai presion ndërkombëtar, cila është përmbajtja konkrete e këtij presioni, çfarë iu thonë saktësisht këta diplomatë që bëjnë presion në politikanët e Kosovës?”.

Sveçla: Nuk duam asnjë eskalim të situatës, mund të ketë rreziqe

Në anën tjetër ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se qëllimi i vazhdimit të lejimit të ndërrimit të targave është që situata të mos eskaloj, pasi vazhdimisht kanë provokime nga zyrtarët serbë.

“Nuk duam asnjë eskalim të situatës, ndonëse ajo po provokohet në vazhdimësi. Me qëllim të lejimit të vazhdimit të veturave ne sapo votuam që procesi të shkallëzohet. Pra të ndahet në faze dhe të mbyllet me 21 prill të vitit të ardhshëm prej kur edhe nuk do të lejohet levizja e veturave të paregjistruara”, ka thënë ai në konferencë për media.

I pyetur, lidhur me rreziqet që janë aktualisht, ai ka thënë se me këtë janë duke u marrë institucionet e sigurisë.

“Unë po e përsëris që nuk ka arsyeje për të pasur eskalim, kurse sa i përket situatës së rrezikshmërisë atë vlerësim e bëjnë institucionet e sigurisë dhe besoj që në bazë të vlerësimeve edhe bëjnë përgatitjet pasi ata gjatë gjithë kohës bëjnë vlerësime”.

Kurse, duke u bazuar në përvojat e kaluara ministri ka vlerësuar se mund të ketë rreziqe.

“Unë mund të them që në vazhdimësi ka shkelje të ligjit atje, ju jeni dëshmitarë se si shtetas tonë të nacionalitetit serb të cilët kanë bërë konvertimin në targa RKS kanë qenë të atakuar dhe kjo është brengë shumë e madhe për ne pasi kemi përgjegjësi që të mbrojmë edhe ata”.