fbpx

Shërimi nga COVID-19 me plazmë gjaku, kërkohen dhurues

HomeLifestyleShendetësi

Shërimi nga COVID-19 me plazmë gjaku, kërkohen dhurues

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, u bëri thirrje pacientëve që janë shëruar nga COVID-19 të dhurojnë plazmën e tyre të gjakut pasi mund të përdoret për shërimin e atyre personave që po luftojnë me koronavirusin e ri.

Në Maqedoninë e Veriut, donatorët e parë të plazmës konvulsive janë regjistruar në fillim të prillit dhe deri tani janë siguruar 61 njësi gjak, ka bërë të ditur ministri Filipçe.

“Plazma e gjakut mund të dhurohet nga një person që është shëruar nga koronavirusi. Të tregohemi humanë dhe të ndihmojmë pacientët që ende po luftojnë me këtë virus të paparashikueshëm. Ju bëj thirrje solidaritetit, sepse nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa shëndeti ynë dhe shëndeti i të dashurve tanë”, ka theksuar Filipçe në një prononcim me shkrim.

Ai nuk ka bërë të ditur për efektin që ka dhënë kjo metodë e shërimit, por nga Klinika Infektive janë shprehur të kënaqur me rezultatet, pa saktësuar se sa kohë mund t’i kenë antitrupat personat që e pranojnë plazmën e gjakut nga persona të shëruar nga virusi.

Procesi i terapisë me plazmë konvulsive zgjat për më shumë se një orë, dhe plazma nga një donator i vetëm mund të përdoret për të trajtuar tre ose katër pacientë. Por, jo të gjithë personat e shëruar nga COVID-19 mund të dhurojnë plazmën konvulsive.

Nga Instituti për Transfuzion të gjakut thonë se terapia me plazmë konvulsive është treguar efikase në luftimin e sëmundjeve të shkaktuara nga viruset ebola dhe SARS. Meqenëse nuk ka ndonjë terapi specifike ose vaksinë e cila është në kërkim, hulumtimet e fundit sugjerojnë që plazma konvulsive mund të jetë e dobishme në trajtimin e infeksionit të shkaktuar nga koronavirusi i ri (SARS-CoV-2).

Në Maqedoninë e Veriut, aktualisht, me COVID-19 janë të diagnostikuar 11,289 persona, 511 prej kanë vdekur, 7,221 janë shëruar ndërsa 3,557 të tjerë ende janë aktiv. Të dhënat rezultojnë nga testimi i 108,384 mostrave që nga paraqitja e rastit të parë me COVID-19 më 27 shkurt.

COMMENTS