Shehu nga Gjakova thotë se nuk janë merakli i kanabisit dhe as nuk e kanë mbjellë ata, bimët kanë mbirë vetë!

HomeLajmeKosovë

Shehu nga Gjakova thotë se nuk janë merakli i kanabisit dhe as nuk e kanë mbjellë ata, bimët kanë mbirë vetë!

U raportua pak më parë për Astrit Demën, të cilit policia më 16 korrik ia gjeti 148 bimë të dyshuara të llojit kanabisi, në oborrin e shtëpisë.

Dema është lajmëruar në redaksinë e Gazetës Sinjali, duke thënë se ai nuk i ka mbjellë këto bimë, por të cilat sipas tij, kanë mbirë vetë.

Ai tha se nga Gjakova është shpërngulur tash e 10 muaj dhe nuk ka pasur asnjë informacion për mbjelljen ose mbirjen e këtyre bimëve.

“Ne jemi kanë në Prishtinë, as që jemi kanë në ngjarje se çka ka ndodhë atje. E gjithë lagjja është e përfshime me këto bimë. Kjo edhe më herët ka dalë, po ne e kemi punu tokën dhe nuk e kemi ditë se çka është dhe e kemi gjujtë. Dhe tash kur e kanë pa, nuk është punu toka, qenka rritë, unë nuk e kom pa, as nuk e kom ditë. Sepse ne as nuk jetojmë që dhjetë muaj në Gjakovë, jemi në Prishtinë tash. Nuk është dyshimi i bazuar që është mbjellë, por dyshimi është që mundet me qenë kanabis sativa.”

“Janë gjithçka dyshime, janë çu në laborator me u verifiku dhe 99% do të dalin që janë bimë që dalin vetë prej tokës, askush në jetë, e sidmos na, por krejt lagjja është. I kam kontaktet me polici, ku ju kam thanë, ‘A mund të shkoni, se krejt lagjja është e mbushur, që të mos del edhe dikush tjetër me u njollos edhe dikush tjetër.”

Dema tha se si sheh është edukator që të këshillojë të gjithë që të mos e marrin kanabisin dhe se këtë bimë nuk e ka parë me sy asnjëherë në jetën e tij.

“Nuk është puna që shehu është merakli i kanabisit, por shehu është edukator i të gjithë që të mos marrin kanabis dhe nuk është puna që shehu e ka mbjellë prej tokës dhe ua lamë organeve kompetente që ta verifikojnë, a është dalë prej tokës apo e ka mbjellë dikush.

“Në 20 metra katrorë nuk mund të mbillen 148 bimë kanabis, nuk më interesonte sa rrënjë kanë dalë, por erdha vrap nga Prishtina, sepse nuk isha në dijeni se çfarë po ndodhë, më kanë thirrë prej Gjakovës. Unë e kam dhënë deklaratën dhe jam liru, nëse do të kishte një dyshim, unë nuk do të isha i lirë”, tha ai.

Dema pretendon se kjo bimë e dyshuar narkotike ka mbirë në të gjithë lagjen vetvetiu, pa u mbjellë e kultivuar nga askush, gjë për të cilën thotë se e ka njoftuar edhe policinë, që të mos njolloset askush pa faj.

“Ne as nuk kemi nevojë si familje me e bë atë punë. Nuk jam merakli i kanabisit e as nuk kam qenë kurrë…Pyetni naj kon në Gjakovë, kur kam pas mundësi ose rast me e pa me sy, e lo më, Allahu na rujtë., me qenë merakli. Unë jam edukator që mos ta merr kurrkush, Zoti mos e bëftë. Shkoni dhe vëzhgoni situatën në lagje, në mahallë, e gjithë lagjja ka, se nuk e dinë çka është. Mundet me qenë diçka e egër, policia ka thënë se dyshojnë se është kanabis. Ta shohim tash, ta presim rezultatin e laboratorit. 100 % unë jam i bindur se nuk ka të bëjë me atë punë, është diçka që del prej tokës dhe gjithçka që del prej tokës vërehet nëse është e mbjellë ose ka mbirë vetë, a është e mirëmbajtur apo jo”, tha ai.

Dema është intervistuar nga policia atë ditë, kur ndodhi bastisja në shtëpinë e tij dhe me urdhër të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt po atë ditë.

COMMENTS