fbpx

SHBA-të të prerë me Kosovën: “Menjëherë të zgjatet afati për targat dhe të formohet Asociacioni”

HomeLajmeKosovë

SHBA-të të prerë me Kosovën: “Menjëherë të zgjatet afati për targat dhe të formohet Asociacioni”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë deklaruar në lidhje me zhvillimet e fundit në veri, duke pasur në fokus çështjen e targave të automjeteve si dhe lëvizjet e fundit politike dhe institucionale në Kosovë.

Nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thënë për lajmi.net se pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit rreth marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shqetësuese dhe e vënë në rrezik progresin e rëndësishëm të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.Të gjithë të përfshirët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin në teren. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetët e qytetarëve dhe ato të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”, u tha në përgjigjen e ambasadës.

Duke mos përfunduar me kaq, nga kjo ambasadë është thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bashkohen BE-së, duke iu bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre të dialogut dhe që të kthehen në institucionet e Kosovës, për të përmbushur detyrat e tyre, përfshirë këtu policinë, gjyqësorin si dhe administratat lokale.

“Në të njëjtën kohë, ne përsëri i bashkohemi BE-së për t’i kërkuar autoriteteve kosovare që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM derisa të zgjidhet çështja e targave nga palët në kuadër të dialogut.Kjo gjithashtu nënkupton fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASM)”, u tha nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara.

Po ashtu është theksuar se Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit si dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të krijohet.

“Gjë që e bën themelimin e ASM-së obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”,theksohet tutje.

Njëashtu u tha se sa i përket mesazhit drejtuar lidershipit kosovar dhe atij serb, është përgjegjësi e të dyja palëve të garantojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Veprimet, të tilla si djegia e makinave ose retorika frikësuese, janë të papranueshme dhe do të nxisin një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar”.

Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është bërë thirrje që të zgjidhet rruga e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe në konfrontim.

“Ne u bëjmë thirrje atyre që të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar për të lehtësuar negociatat”.

Nga Ambasada e Amerikës është shtuar se si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Sa i përket Asociacionit, ditë më parë kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar nga Berlini se në Kosovë s’do të ketë Asociacion. Madje ai ka thënë se janë zgjedhur disa modalitete në lidhje me konvertimin e targave dhe se pas vendosjes së qortimit ndaj serbëve, do të vazhdohet me masën e gjobës, për të gjithë ata që nuk konvertojnë targat nga ato ilegale në RKS.