Rajoni
SHBA shpall “Non Grata” edhe anëtarin serb të Presidencës së Bosnjës, Milorad Dodikun!
Departamenti amerikan i Thesarit ka njoftuar për zgjerimin e sanksioneve për vepra korruptive, në të cilat është përfshirë anëtari serb i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.
Siç thuhet në njofim, sanksionet janë vendosur edhe ndaj Televizionit ‘Alternativa’ nga Banja Lluka, që ndërlidhet me familjen e Dodikut.
Departamenti i Thesarit tha se sanksionet shprehin përkushtimin e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për të promovua llogaridhënien “për ata, që mes tjerash, minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve afatgjata të paqes.
Sipas njoftimit, sanksionet nënkuptojnë se të gjitha pronat, intereset në prona të individëve dhe entiteteve të përfshira në sanksione, që i kanë në SHBA ose janë në pronësi apo kontroll nga qytetarët amerikanë, bllokohen dhe duhet të raportohen në Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja, zyrë kjo në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit.
Po ashtu, personave dhe entiteteve të sanksionuara u ndalohen të gjitha transaksionet me personat amerikanë.
Më herët, ministrja e Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq, paralajmëroi sanksionet kundër Dodikut, raporton REL.
Ajo tha se ekziston një qëndrim i harmonizuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian dhe se ky nuk do të jetë fundi, por vetëm fillimi i vendosjes së sanksioneve.
Ndryshe, në nëntor të vitit të kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken njoftoi se Shtetet e Bashkuara, të cilat ndërmjetësuan në arritjen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit për Bosnje e Hercegovinën në vitin 1995, mund të vendosin sanksione ndaj atyre që përpiqen të tërhiqen në mënyrë të njëanshme nga institucionet shtetërore ose të destabilizojnë marrëveshjen.
Dodik: Sanksionet nuk janë të shenjta
Millorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnje dhe Herzegovinës, tha më 5 janar në Banja Llukë të Bosnje e Hercegovinës se janë të mundshme sanksionet për individët në Bosnje dhe Herzegovinë.
Dodik, i cili është gjithashtu president i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur iu përgjigj pyetjes së një gazetari në lidhje me sanksionet e mundshme të cilat i paralajmëroi ministrja e Jashtme e Bosnje e Hercegovinës, Bisera Turkoviq.
