Që të dyja janë tema të nxehta, që diametralisht janë të kundërta deri në ekstrem, por kryeministri Kurti është kah planifikon t’i bëjë bashkë dhe t’i kalojë në “pako” në Kuvendin e Kosovës.
Ditëve të fundit është ringritur në publik çështja e lejimit të shamisë në shkolla. Kjo temë po vjen, pas dështimit të Qeverisë Kurti që të përfshijë lejimin e martesave mes pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ+ në Kodin e ri Civil.
Megjithatë, Demokracia.com nga burime të afërta me Qeverinë ka mësuar se kryeministri Kurti e ka një plan për këto të dyja.
“Kryeministri po planifikon t’i kalojë në pako si kompromis të dyja këto. Lejimi i martesave mes gjinive të njëjta është kërkesë e vazhdueshme e ndërkombëtarëve, që si të vetme për shkak të dëmit politik që i shkakton, deputetët e Vetëvendosjes nuk e votojnë në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa, për ta balancuar politikisht, me shpresën që përfitojnë edhe politikisht, duke i përmbushur kërkesat e të dyja grupeve shoqërore, njerëz të afërt me Kurtin e kanë nxitur edhe ngritjen e temës së lejimit të shamisë në shkolla për t’i kaluar në pako në emër të tolerancës dhe lirisë fetare”, ka thënë një burim i mirëinformuar për Demokracia.com.
Madje, sipas këtij burimi, nuk ishte i rastësishëm as vërshimi i komentuesve në profilin e Kurtit në Facebook ditë më parë, të cilët kërkuan ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për mosndalimin e shamisë në shkolla, pasi që kjo ishte bërë në mënyrë të organizuar nga “armata” digjitale e LVV-së. Por, mbetet e paqartë pse është e nevojshme të përfshihet ndryshimi i një akti nënligjor në një procedurë të tillë, kur ai mund të ndryshohet edhe me një vendim të ministres Nagavci.
Para se të vinte në pushtet edhe vetë Albin Kurti kishte deklaruar se ishte pro mbajtjes së shamive në shkolla.
Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Blendi Fevziu e pyet Kurtin për “flirtin” me, siç i quan “islamikët”.
Fevziu e cek një detaj që quhet “Ligji për Mbajtjen e Shamive”, por që në fakt një ligj i tillë në Kosovë nuk ekziston.
Megjithatë, Kurti përgjigjet se partia dhe qëndrimi i tij politik nuk është për të bërë ligj për përdorimin apo mospërdorimin e shamisë, por është kundër ligjit që ndalon mbajtjen e shamive.
“Pra, jam kundër ndalimit të shamive në shkolla”, përgjigjet Kurti, përcjell Demokracia.com.
“Ne nuk bëjmë ligj kundër ndalimit. Është çështje e të drejtave elementare njerëzore. Nuk duam probleme me Gjykatën e Strasburgut, do ta humbisnim këtë betejë”, i kundërpërgjigjet Kurti – Fevziut.
Kurti aty thotë se ka bindjen se këto janë probleme të shekullit të kaluar dhe se duhen kujtuar fjalët e poetit shqiptar Ervin Hatibi, i cili lidhur me këto qëndrime thotë se “nuk do të duhej të merremi me probleme rrobaqepësie”.
Që nga viti 2014 ekziston një udhëzim administrativ i Ministrisë së Arsimit që ndalon bartjen e shamisë në shkolla. Ai aktualisht nuk zbatohet në tërësi si akt, por tashmë është shtrirë gjerësisht kërkesa që të ndryshohet dhe ajo pikë mos të ekzistojë fare.
Para pak ditësh edhe kreu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, i është drejtuar kryeministrit Kurti me kërkesën për shfuqizimin e këtij akti nënligjor.