Connect with us

Kosovë

Server i kundërpërgjigjet Brnabiqit: “Nuk keni të drejtë të paguani njerëz për ta destabilizuar shtetin fqinj”

Publikuar

me

Daniel Serwer i thotë Ana Bërnabiqit, se si Kryeministre e Serbisë, nuk ka të drejtë të fusë njerëz në lista të pagave të shtetit të saj, për ta destabilizuar Kosovën.

Profesori amerikan, Daniel Serwer, është përfshirë të një debat me Kryeministren serb, Ana Bërnabiq në Twitter, e cila vazhdimisht polemizon me këdo që nuk i jep të drejtë Serbisë në veprimet e saj.

Serwer i ka thënë Bërnabiqit që askush nuk ka të drejtë të bllokojë rrugët dhe të kryejë sulme. Dhe, kjo nuk do të thotë se serbëve të Kosovës u ndalohet të protestojnë paqësisht për kërkesat e tyre.

“E dashura Ana Bërnabiq, askush nuk e vë në dyshim të drejtën e serbëve të Kosovës për të protestuar paqësisht, por nuk është asnjë e drejtë për të bllokuar rrugë, sulmuar policinë dhe për të rrezikuar sigurinë publike. Dhe, nuk keni të drejtë si Kryeministre e Serbisë të fusni njerëz në listë pagesash për ta destabilizuar një shtet fqinj”, ka shkruar Serwer, transmeton Gazeta Express.

Serëer këtë koment e ka bashkëngjitur te disa replika mes kryeministres serbe dhe ish-diplomatit gjerman, Wolfgang Ischinger, i cili i ka thënë asaj se kërkesat e serbëve që Bërnabiq ia numëroi, nuk mund të përdorën për nxitje të dhunës.

Që nga 10 dhjetori, rrugët në veri të Kosovës që çojnë në dy pikat kufitare, janë bllokuar me barrikada. Për barrikadim janë përdorur kryesisht kamionë.

Barrikadat u vendosën pas disa incidenteve në veri prej fillimit të dhjetorit. Më 10 dhjetor, Policia e Kosovës arrestoi ish-policin Dejan Pantiq, nën dyshimet se kishte organizuar një sulm katër ditë më parë ndaj zyrtarëve zgjedhorë dhe policorë të Kosovës.

Kosova shtyu zgjedhjet që ishin planifikuar të mbaheshin më 18 dhjetor, pasi kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri, ishin dorëhequr. Zgjedhjet u shtyn pas kërkesës së ndërkombëtarëve, të cilët i druheshin eskalimeve, pasi përfaqësuesit politikë të serbëve që ishin dorëhequr, nuk donin të mbaheshin këto zgjedhje dhe kishin nisur reaksionet.

Zyrtarë të Listës Serbe vazhdimisht lajmërohen nga barrikadat, ndërsa pushteti në Serbi thotë se nuk e ka urdhëruar bllokimin e rrugëve në veri, ndonëse zyrtarët më të lartë serbë, si Presidenti e Kryeministrja, i mbrojnë këto barrikada.

Reklama