fbpx

Serbia sot provokoi me helikopter e parashutistë në zonën kufitare, akoma nuk ka reaguar policia për ketë incident

HomeLajmeKosovë

Serbia sot provokoi me helikopter e parashutistë në zonën kufitare, akoma nuk ka reaguar policia për ketë incident

Demokracia.com ka raportuar sot ekskluzivisht se një helikopter i Serbisë gjatë mëngjesit të sotëm ka lëshuar disa parashutistë në kufirin me Kosovën, saktësisht te fshati Miroc i Podujevës.

Banorët e kësaj pjese e kishin vërejtur një helikopter të Serbisë, i cili kishte lëshuar disa parashutistë në zonën kufitare me Kosovën dhe ata dyshohet se kishin rënë edhe në territorin e Kosovës.

Megjithatë, Policia e Kosovës deri më tani nuk ka dhënë asnjë informacion zyrtar lidhur me këtë ngjarje, ndonëse jozyrtarisht po e konfirmojnë tërë ngjarjen.

Përkundër insistimit të vazhdueshëm të Demokracia.com, nga policia nuk kanë dashur të deklarohen për këtë rast. As nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës nuk kanë dhënë informacione lidhur me lëshimin e parashutistëve serbë në zonën kufitare.

Komandanti i Policisë në Podujevë, Nijazi Jashari, ka thënë për Demokracia.com se ky rast i takon Departamentit të Kufirit, duke mos dhënë detaje.

Ndërsa, drejtori i Departamentit të Kufijve në Policinë e Kosovës, Ragip Bunjaku, e ka konfirmuar rastin, por ka thënë se ka qenë jashtë rrjetit deri më tash, pasi që ka qenë duke u marrë me vizitën e Lajçakut në Bërnjak dhe nuk i ka të gjitha informatat e sakta.

“Pa i pasur të gjitha informatat e sakta, nuk mundem me fol më shumë”, ka thënë ai për Demokracia.com.

Një familjar i dëshmitarit të rastit, i cili posedon edhe dëshmi vizuale, ka thënë se menjëherë është angazhuar njësia reaguese e policisë së bashku me njësinë e kufirit dhe ato janë marrë me rastin.

Familjari i këtij dëshmitari ka treguar për Demokracia.com se në këtë lokacion ka dalë edhe njësia kufitare dhe nga një distancë disa metërshe e kanë vërejtur sërish helikopterin serb, i cili dyshohet se i ka mbledhur parashutistët serbë dhe ka vazhduar më pas drejt Serbisë.

COMMENTS

x