fbpx

Selmanaj flet për krizën e energjisë: “Dështuam krejt për 20 vjet, hise të fajit ka edhe Lëvizja Vetvendosje”

HomeLajmeKosovë

Selmanaj flet për krizën e energjisë: “Dështuam krejt për 20 vjet, hise të fajit ka edhe Lëvizja Vetvendosje”

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë që e gjithë klasa politike e 20 vjetëve të fundit duhet të ndihet e turpëruar për gjendjen në të cilën ndodhet Kosova sa i përket problemit të furnizimit me energji.

“Unë kam bindjen që të gjitha partitë politike duhet të pajtohen me diçka. Kemi dështuar, dhe faji është i secilit prej nesh. Nëse ne sot flasim për termocentralet që janë ndërtuar në vitet ’60, ’70, dhe i kemi edukuar njerëzit në Kosovë se çka është kazani, a ka rrjedhje në kazan, tash së fundmi se çka është bojleri, çka është filteri, çka është lopata – po ky është tmerri i politik-bërjes 20-vjeçare në Kosovë”, ka thënë Selmanaj në parlament.

“Ka dështu Projekti Bilfinger, ka dështu Projekti i Kosovës së Re, ka dështu projekti i Contour Global-it, dhe tash po dështoni edhe me gazin”, shtoi ai.

Mirëpo, sipas Selmanajt, tash hise të fajit ka edhe Lëvizja Vetëvendosje që po i ndal projektet e reja në Kosovë që mund ta përmirësonin ose zgjidhnin këtë problem të kamotshëm të vendit.

“Dhe nuk jeni pa faj Lëvizja Vetëvendosje – pothuajse për të gjitha këto me orë të tëra keni organizuar konferenca për media për t’i kundërshtuar këto dhe si përfundim, emëruesi i përbashkët është që të gjithë neve duhet me na ardh trup si klasë politike ndaj njerëzve që na kanë zgjedhë këtu”, tha Selmanaj.

“Turpi është mbi neve të gjithëve përfshirë edhe juve që së fundmi po provoni me çdo kusht me i ndalë projektet e reja gjeneruese që mund të vijnë si rezultat i gazit që vjen në Kosovë”, shtoi deputeti i LDK’së.

COMMENTS

x