fbpx

Samiti i Procesit të Bërdo-Brionit mbyll punimet me thirrjen që Kosovës t’i hiqen vizat

HomeLajmeKosovë

Samiti i Procesit të Bërdo-Brionit mbyll punimet me thirrjen që Kosovës t’i hiqen vizat

Pas takimit, presidenti slloven Borut Pahor si nikoqir i takimit ka dalë me një konferencë për media ku ka thënë se takimi është përmbyllur me sukses.


Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që ta përfundojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinës t’ia japë statusin e shtetit kandidat.

 

Ai deklaroi të hënën, pas Samitit të Procesit Bërdo-Brionit, Slloveni, se me liderët e vendeve të rajonit, u dakorduan që bisedimet të jenë forma e vetme për zgjidhje të çështjeve, ndonëse sipas tij, pati dallime të mëdha mes shteteve.

“Takimi u mbyll me sukses për dy arsye: diskutimet kanë qenë mjaft të mira dhe kemi dashur të insistojmë që të jemi më të bashkuar. Por ka disa gjëra që na ndajnë, por duhet të kuptojmë se ku janë këto dallime”, deklaroi Pahor.

Sipas presidentit slloven, BE-ja duhet ta përshpejtojë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe t’i ndihmojë vendet në krizën për energjinë elektrike dhe furnizimit me ushqime.

“Kur u përgatitëm për konferencë, kishim disa dallime. Niveli i besimit nuk është në nivelin më të lartë të munshdëm. Gjatë fazës përgatitore për konferencë, ne kuptuam se ndoshta do të jetë e vështirë ta organizojmë këtë takim. Kjo nuk do të jetë pengesë për Ballkanin Perëndimor. Më vjen mirë që të gjithë kanë marrë pjesë në Samit. Kishim dallime të mëdha, por e kuptuam se nuk mund t’i zgjidhim këto dallime, prandaj u përqendruam në aspektet e përbashkëta”, shtoi ai.

Dy nikoqirët presidentit të Sllovenisë Borut Pahor dhe presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviç, kanë mbajtur konferencë për media, ku kanë folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe rëndësinë e ruajtjes së paqes në rajon.

Pahor dhe Milanoviq kanë bërë thirrje për dialog si rruga e vetme e gjetjes së zgjidhjes dhe ruajtjes së paqes në rajon.

Procesi i Bërdo-Brionit filloi në vitin 2010 kur kryeministrat e atëhershëm slloven dhe kroat, Borut Pahor dhe Jadranka Kosor, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje arbitrazhi mes dy vendeve, donin të jepnin shembull për liderët e Ballkanit Perëndimor dhe t’i inkurajonin ata në zgjidhjen e çështjeve dypalëshe.

x