Sa duhet të shqetësohemi me inteligjencën artificiale?

8 minutes, 16 seconds Read

Inteligjenca artificiale ka fuqinë e jashtëzakonshme për të ndryshuar mënyrën se si jetojmë. Ekspertët kanë pak besim se ata që janë në pushtet janë të përgatitur për atë që do të vijë.

Në vitin 2019, një grup kërkimor jofitimprurës i quajtur OpenAI, krijoi një program softuerësh që mund të gjeneronte paragrafë të tekstit koherent dhe të nxirrte kuptimin si dhe të bënte analizën pa udhëzime specifike, raporton bbc.

OpenAI fillimisht vendosi të mos e bëjë krijimin e tij, të quajtur GPT-2, plotësisht të disponueshëm për publikun nga frika se njerëzit me qëllime dashakeqe mund ta përdorin atë për të gjeneruar sasi masive dezinformatash dhe propagande. Në një deklaratë për shtyp duke njoftuar vendimin e tij, grupi e quajti programin “shumë të rrezikshëm”.

Tre vjet më pas, aftësitë e inteligjencës artificiale janë rritur në mënyrë eksponenciale, transmeton Telegrafi.

Në kontrast me versionin e fundit të kufizuar, oferta tjetër, GPT-3, u vu në dispozicion në muajin nëntor. Ndërfaqja Chatbot-GPT, i cili rrjedh nga ai programim, ishte shërbimi që solli një mijë artikuj lajmesh dhe mesazhe në mediat sociale, ndërsa reporterët dhe ekspertët testuan aftësitë e tij – shpesh me rezultate mahnitëse.

Chatbot-GPT krijoi rutina stand-up në stilin e komedianit të ndjerë George Carlin rreth dështimit të Bankës së Silicon Valley. Ai mendonte për teologjinë e krishterë. Shkroi poezi. Ai i shpjegoi një fëmije teorinë kuantike sikur të ishte reperi Snoop Dogg. Modele të tjera të inteligjencës artificiale, si Dall-E, gjeneruan pamje vizuale aq bindëse saqë kanë ndezur polemika mbi përfshirjen e tyre në ueb-faqet e artit.

Makineritë, të paktën me sy të lirë, kanë arritur kreativitet.

Të martën, OpenAI solli programin më të ri, GPT-4, për të cilin thotë se ka kufizime të forta rreth abuzimeve. Klientët e hershëm përfshijnë Microsoft, Merrill Lynch dhe qeverinë e Islandës. Dhe në konferencën, “South by Southwest Interactive” në Austin, Teksas, këtë javë – një mbledhje globale e politikëbërësve të teknologjisë, investitorëve dhe drejtuesve – tema më e nxehtë e bisedës ishte potenciali dhe fuqia e programeve të inteligjencës artificiale.

Arati Prabhakar, drejtoreshë e Zyrës së Politikës së Shkencës dhe Teknologjisë në Shtëpinë e Bardhë, thotë se është tejet e kënaqur me mundësitë që po ofron AI, por ajo gjithashtu kishte një paralajmërim.

“Ajo që ne të gjithë po shohim është shfaqja e kësaj teknologjie jashtëzakonisht të fuqishme. Kjo është një pikë kthese”, tha ajo. “E gjithë historia tregon se këto lloje të teknologjive të reja të fuqishme mund dhe do të përdoren për të mirë dhe për të keq”, shtoi Prabhakar.

Bashkëpanelisti i saj, Austin Carson, ishte pak më i hapur.

“Nëse pas gjashtë muajsh nuk do të frikësoheni, atëherë unë do t’ju qeras me darkë”, i tha audiencës themeluesi i SeedAI, një grup këshillues për politikat e inteligjencës artificiale.

Amy Webb, drejtuese e Institutit Future Today dhe një profesoreshë në Universitetin e New Yorkut, u përpoq të përcaktojë sasinë e rezultateve të mundshme në prezantimin e saj SXSW. Ajo tha se inteligjenca artificiale mund të shkojë në njërin prej dy drejtimeve gjatë dhjetë vjetëve të ardhshme.

Në një skenar optimist, zhvillimi i AI fokusohet në të mirën e përbashkët, me transparencë në hartimin e sistemit të AI dhe një aftësi për individët që të zgjedhin nëse informacioni i tyre i disponueshëm publikisht në internet përfshihet në bazën e njohurive të AI. Teknologjia shërben si një mjet që e bën jetën më të lehtë dhe më të qetë, pasi veçoritë e AI në produktet e konsumit mund të parashikojnë nevojat e përdoruesve dhe të ndihmojnë në përmbushjen praktikisht të çdo detyre.

Skenari katastrofik i zonjës Webb përfshin më pak privatësi të të dhënave, më shumë centralizim të pushtetit në një pjesë të vogël të kompanive dhe AI që parashikon nevojat e përdoruesve – dhe i bën ata të gabuar ose, të paktën, mbyt zgjedhjet.

Ajo i jep skenarit optimist vetëm një mundësi prej 20 për qind.

Se në cilin drejtim shkon teknologjia, tha Webb, në fund të fundit varet kryesisht nga përgjegjësia me të cilën kompanitë e zhvillojnë atë. A e bëjnë këtë në mënyrë transparente, duke zbuluar dhe kontrolluar burimet nga të cilat chatbot-ët – të cilët shkencëtarët i quajnë Modele të Mëdha Gjuhëshe – marrin informacionin e tyre?

Faktori tjetër, tha ajo, është nëse qeveria – rregullatorët federalë dhe Kongresi – mund të lëvizin shpejt për të vendosur kufizime ligjore për të udhëhequr zhvillimet teknologjike dhe për të parandaluar keqpërdorimin e tyre.

Në këtë drejtim, përvoja e qeverisë me kompanitë e mediave sociale – Facebook, Twitter, Google dhe të ngjashme – është ilustruese. Dhe përvoja nuk është inkurajuese.

“Ajo që dëgjova në shumë biseda ishte shqetësimi se nuk kishte asnjë kufizim”, tha Melanie Subin, drejtoreshë menaxhuese e Institutit Future Today, për kohën e saj në South by Southwest. “Ekziston një ndjenjë se diçka duhet bërë. Dhe unë mendoj se media sociale si një përrallë paralajmëruese është ajo që është në mendjen e njerëzve kur shohin se sa shpejt po zhvillohet AI gjeneruese”, pohoi ajo.

Mbikëqyrja federale e kompanive të mediave sociale bazohet kryesisht në Aktin e Desencës së Komunikimit, të cilin Kongresi e miratoi në vitin 1996, dhe një dispozite të shkurtër, por të fuqishme që përmbahet në seksionin e 230 të ligjit. Kjo gjuhë mbronte kompanitë e internetit nga mbajtja e përgjegjësisë për përmbajtjen e krijuar nga përdoruesit në faqet e tyre të internetit. Është kredituar për krijimin e një mjedisi ligjor që kompanitë e mediave sociale mund të lulëzojnë. Por kohët e fundit, po fajësohet gjithashtu për lejimin e këtyre kompanive të internetit të fitojnë shumë më shumë pushtet dhe ndikim.

Politikanët në të djathtë ankohen se ka lejuar Google dhe Facebook të censurojnë ose zvogëlojnë dukshmërinë e opinioneve konservatore. Ata në të majtë i akuzojnë kompanitë se nuk bëjnë sa duhet për të parandaluar përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve të dhunshme.

“Ne kemi një mundësi dhe përgjegjësi për të pranuar se retorika e urrejtjes dërgon në veprime urrejtjeje”, tha Jocelyn Benson, Sekretarja e Shtetit e Michiganit. Në dhjetor të vitit 2020, shtëpia e saj u shënjestërua prej mbështetësve të armatosur të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, të organizuar në Facebook, të cilët po sfidonin rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Ajo ka mbështetur legjislacionin e praktikave mashtruese në Michigan që do të mbante kompanitë e mediave sociale përgjegjëse për përhapjen e informacionit të dëmshëm me vetëdije. Ka pasur propozime të ngjashme si në nivel federal, ashtu edhe në shtete të tjera, së bashku me legjislacionin që kërkon që faqet e mediave sociale të ofrojnë më shumë mbrojtje për përdoruesit e mitur, të jenë më të hapur në lidhje me politikat e tyre të moderimit të përmbajtjes dhe të ndërmarrin hapa më aktivë për të reduktuar ngacmimet në internet.

Opinionet janë të ndryshme rreth suksesit të mundshëm të një reforme të tillë. Kompanitë e mëdha të teknologjisë kanë ekipe të tëra lobistësh në Uashington DC dhe kryeqytetet e shteteve, si dhe arka të thella me të cilat mund të ndikojnë politikanët përmes donacioneve të fushatës.

“Pavarësisht provave të shumta të problemeve në Facebook dhe faqet e tjera të mediave sociale, kanë kaluar 25 vjet”, thotë Kara Swisher, gazetare e teknologjisë. “Ne kemi pritur për ndonjë legjislacion nga Kongresi për të mbrojtur konsumatorët dhe ata kanë shfuqizuar përgjegjësitë e tyre”.

Rreziku, thotë Swisher, është se shumë nga kompanitë që kanë qenë lojtarë të mëdhenj në mediat sociale – Facebook, Google, Amazon, Apple dhe Microsoft – tani janë liderë në inteligjencën artificiale.

Dhe nëse Kongresi nuk ka qenë në gjendje të rregullojë me sukses mediat sociale, do të jetë një sfidë për ta që të lëvizin shpejt për të adresuar shqetësimet rreth asaj që Swisher e quan “gara e armëve” e inteligjencës artificiale.

Krahasimet midis rregullimit të inteligjencës artificiale dhe mediave sociale nuk janë gjithashtu thjesht akademike. Teknologjia e re e inteligjencës artificiale mund të marrë ujërat tashmë të trazuar të faqeve të internetit si Facebook, YouTube dhe Twitter dhe t’i kthejë ato në valë të mëdha të detit të dezinformimit, pasi bëhet gjithnjë e më e vështirë të ndash mesazhet e njerëzve të vërtetë nga llogaritë e rreme – por krejtësisht të besueshme – të krijuara nga AI.

Edhe nëse qeveria arrin të miratojë rregullore të reja për mediat sociale, ato mund të jenë të kota përballë një vërshimi të përmbajtjeve të dëmshme të krijuara nga AI.

Midis paneleve të panumërta në South by Southwest, ishte një me titull “Kongresi si po e ndërton politikën e AI”. Pas afro 15 minutash pritje, audiencës iu tha se paneli ishte anuluar sepse pjesëmarrësit kishin shkuar në vendin e gabuar.

Për ata që shpresonin se njerëzit në qeveri do të jenë më syçelë, ky nuk ishte një zhvillim inkurajues./Telegrafi

Publikime te ngjashme