Rusia sulmon me raketë një shkollë dhe një objekt banimi në Kharkiv

HomeLajmeBota

Rusia sulmon me raketë një shkollë dhe një objekt banimi në Kharkiv

Zyrtarët ukrainas njoftuan se forcat ajrore ruse shkatërruan një shkollë dhe një ndërtesë banimi në Kharkiv të hënën herët në mëngjes, duke vrarë të paktën tre persona e plagosur 28 të tjerë. Kharkivi është qyteti i dytë më i madh i vendit.

Në një postim në rrjetin social “Telegram”, guvernatori i rajonit Oleh Syneihubov shkruante se sulmet me raketa, përfshirë gjithashtu dhe një raketë që ra pranë disa ndërtesave për magazinim, kishin në shënjestër civilë. Ai i quajti sulmet si “terrorizëm i pastër”.

Këto zhvillime vijnë ndërsa në qytetin lindor të Chasiv Yar-it vazhdojnë kërkimet për të gjetur të mbijetuar pas një sulmi me raketa të shtunën ndaj një ndërtesë pesëkatëshe banimi, ku si pasojë u vranë të paktën 15 persona.

Autoritetet thonë se mbi 20 persona mund të jenë të bllokuar nën rrënoja dhe se ata kishin arritur t’i dëgjonin e kontaktonin me disa prej tyre.

Chasiv Yar-i shtrihet rreth 20 kilometra në juglindje të Kramatorsk-ut, një qytet që pritet të jetë një objektiv kryesor i forcave ruse, ndërsa ato po përpiqen të përparojnë më tej drejt perëndimit, në provincën Donetsk. Një një javë më parë Moska pretendoi se kishte marrë kontrollin e provincës fqinje të Luhansk-ut.

Sulmi në Chasiv Yar është më i fundit që ka shkaktuar një numër të madh viktimash mes popullatës civile, por Rusia vijon të pretendojë se po synon vetëm objektiva ushtarake.

Gjatë një sulmi në fund të muajit qershor, në një qendër tregtare në Kremenchuk, u vranë të paktën 19 persona ndërsa këtë muaj, në tjetër sulm ndaj një blloku apartamentesh dhe zone argëtimi në rajonin jugor të Odesës, u vranë 21 të tjerë./VOA

COMMENTS

x