Rusia arsyetohet për mossukses: “Ushtarët ukrainas gjakprishur, kaluan përmes laboratorëve amerikan”

HomeLajmeBota

Rusia arsyetohet për mossukses: “Ushtarët ukrainas gjakprishur, kaluan përmes laboratorëve amerikan”

Rusia ka nxjerr një tjetër arsyetim pse nuk arriti suksesin që e synonte për pak ditë në Ukrainë.

Dy përfaqësues rusë të emëruar në komisionin për hetimin e “biolaboratorëve amerikanë në Ukrainë”, kanë thënë se ushtarët ukrainas, “kanë gjak të përzier e të prishur” dhe një sërë sëmundjesh si pasojë, sipas tyre, të eksperimenteve që kanë bërë amerikanët tek ata për t’i përgatitur për luftë.

Konstantin Kosachev, nënkryetar i Këshillit të Federatës Ruse dhe Irina Yarovaya, nënkryetare e Dumës së Shtetit, vlerësuan se gjetjet “janë bombastike”.

“Testi i gjakut i të burgosurve ukrainas të luftës ka zbuluar një sërë sëmundjesh që sugjerojnë se ata janë eksperimentuar fshehurazi për qëllime ushtarake”, thonë ata në një deklaratë për mediat ruse, përcjell të martën “YahooNews”. “Dhe ne shohim mizorinë dhe barbarizmin e personelit ushtarak ukrainas, krimet që ata kryejnë kundër popullatës civile, ato krime monstruoze që ata kryejnë kundër robërve të luftës. Gjithë këto konfirmojnë se ky sistem i kontrollit dhe krijimit të makinave mizore të vrasjes zbatohet nën administrim të Shteteve të Bashkuara”, tha Yarovaya.

Sipas “hetimit” të tyre, deri te kjo gjendje vjen pas marrjes së drogave të ndryshme që bëjnë të “humbin ndërgjegjen njerëzore”.

Sipas “hulumtimit rus”, në gjakun e të burgosurve ukrainas është konstatuar edhe prania e antitrupave të hepatitit A.

Në raportin rus, thuhet se kjo prani është dëshmi e një komploti nga biolaboratorët amerikanë.

Në fakt, Rusia në shumë raste ka pretenduar se SHBA-ja ka shumë biolaboratore në Ukrainë. Edhe kjo është përmendur si arsye për nisjen e pushtimit të Ukrainës.

Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, por nuk ia doli t’i realizojë planet për pushtim të shpejtë të vendit fqinj. Në të vërtetë, është shumë larg këtij synimi, thonë raportet e agjencive të ndryshme ndërkombëtare.

Rusia është akuzuar gjerësisht për terrorizëm e shumë masakra ndaj civilëve në Ukrainë.

COMMENTS

x