Rritja e çmimeve: A po i prishin kosovarët planet e pushimeve?

HomeLajmeKosovë

Rritja e çmimeve: A po i prishin kosovarët planet e pushimeve?

Ngritja e çmimeve nuk ka bërë që kosovarët të pezullojnë pushimet verore pranë bregdetit, ndërsa Shqipëria mbetet destinacioni kryesor për t’i kaluar pushimet e verës.

Qytetarët për KosovaPress thonë se do ta vizitojnë bregdetin shqiptar, edhe pse çmimet kanë ndryshuar.

Ndonëse pohon se ka vërejtur rritjen e çmimeve, Nezir Rama thotë se sërish do të shkojë në pushime pranë bregdetit të Adriatikut.

“Kemi planifikuar… Besoj që në Shëngjin dhe një pjesë do ta kaloj në Strugë…Janë rrit çmimet sepse isha para një javë, çmimet janë rritë por e kemi ditur që do të ngritën çmimet pas pandemisë dhe këtyre rrethanave që janë krijuar sot, dhe pas luftës në Ukrainë, jemi përgatitur”, thotë ai.

Bregdetit shqiptar do t’ia mësyjë edhe Qëndrim Hoti, i cili thotë se në det duhet shkuar pavarësisht kostos financiare.

“Kemi planifikuar në Jug, zakonisht edhe vitin e kaluar kam qenë në Jug. Po mendoj këtë herë me shku nga Vlora ose Dhërmi… Janë rrit (çmimet) por duhet me kalu… me rendësi duhet me shku patjetër”, thotë ai.

Se rritja e çmimeve po vërehet në të gjitha sferat e thotë qytetarja Halime Hajdini.

Megjithatë, ajo thotë se do të shkojë për pushime në det.

“Në Shqipëri kemi me shku javën që vjen… Shtrenjtë janë më shumë se herëve tjera po dihet, edhe këtu edhe çdo kund, por ia vlen, sidomos njëherë në vit me shku”, shprehet ajo.

Agron Ahmeti, po ashtu është i vendosur të shkojë në pushime, pavarësisht rritjes së çmimeve.

“Sa të marrim pushimin kemi me shku… në Shqipëri… me familje,… (çmimet) janë rrit jashtëzakonisht shumë, s’është gjithë problemi te ne por kriza globale e ka bërë të veten”, thotë ai.

Edhe Pashk Desku, nuk e ka problem rritjen e çmimeve. E rëndësishme për të është të kalojë mirë në pushime.

“Besoj se diku në bregdetin shqiptar do të shkojmë… 11 muaj kam fitu e një muaj duhet me shpenzu, s’është me rendësi çfarë çmimi, me rendësi të kënaqem… Çmimet janë rrit gjithandej, në Kosovë, Shqipëri dhe në gjithë botën, shkak kryesor lufta”, thotë ai.

Mirlinda Gashi e cila i ka përfunduar pushimet, pohon se këtë vit ka pasur rritje të çmimeve.

“Pushimet i kam përfunduar, sapo kam ardh… Kemi qenë në Ulqin nga Gjermania… (çmimet janë rritur) normal, çdo gjë është vërejtur por çka me bë, e ka bërë lufta në Ukrainë gjithë këtë krizë në gjithë botën”, thotë ajo

COMMENTS

x