fbpx

Rreth 2 mijë euro për derivate e mbi 1 mijë euro për dreka zyrtare – Këto janë shpenzimet e kryetares së Kushtetueses Gresa Caka-Nimani

HomeLajmeKosovë

Rreth 2 mijë euro për derivate e mbi 1 mijë euro për dreka zyrtare – Këto janë shpenzimet e kryetares së Kushtetueses Gresa Caka-Nimani

4 mijë e 775 euro në total ka shpenzuar kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani gjatë këtij viti. Nga kjo shumë del se, vetëm për derivate ajo ka harxhuar 1 mijë e 833 euro të taksapaguesve kosovarë. Gazeta Insajderi, sjell listën e shpenzimeve tjera të kryetares së Kushtetueses dhe zëvendësit të saj, Bajram Ljatifi

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, e mori zyrtarisht detyrën në qershorin e vitit të kaluar, pas përfundimit të mandatit të Arta Rama-Hajrizit.

Caka-Nimani, që nga 1 janari i këtij viti, si kryetare e Gjykatës më të lartë në vend, ka shpenzuar në total, 4 mijë e 775 euro para të qytetarëve për meditje, dreka e darka zyrtare, telefon e internet, karburante, udhëtime zyrtare e akomodim, shkruan Gazeta Insajderi.

Vetëm për derivate në total ajo ka shpenzuar shumën prej gati 2 mijë euro, apo 1 mijë e 833 euro. Mbi 1 mijë euro Caka-Nimani ka shpenzuar për dreka e darka zyrtare.

Kjo zyrtare e lartë e shtetit, për përdorim të telefonit e internetit ka shpenzuar gati 1 mijë euro.

Që nga janari për udhetime zyrtare jashtë shtetit dhe akomodim, del se kryetarja e Kushtetueses ka shpenzuar shumën prej 578 eurove.

Kryetarja, Caka – Nimani, që në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar se ka marrë pagë vjetore prej 41 mijë e 339 euro, për gjatë këtij viti ka marrë edhe mëditje në shumën prej gati 400 euro.

Gazeta Insajderi, e ka siguruar listën e shpenzimeve nga Kushtetuesja pas kërkesës për Qasje në Dokumentet Publike.

Zyrtarët e Gjykatës Kushtuese e kanë sqaruar se në listën e shpenzimeve të janarit figurojnë edhe shpenzimet e muajit dhjetor të një viti paraprak.

“Obligimet e muajit dhjetor 2021 sa i përket telefonisë mobile dhe internetit si dhe karburanteve, janë realizuar në janar 2022 dhe si rrjedhojë, figurojnë si shpenzime të vitit 2022”, thuhet në përgjigjen për Insajderin.

Sipas kësaj, gjykate në listën e shpenzimeve mungojnë ato të muajit gusht pasi që operatorët nuk i kanë dorëzuar ende

“Gjithashtu, ju lutem vëreni se sa i përketë këtyre dy kategorive të shpenzimeve, gjykata nuk ka pranuar ende faturat nga operatorët përkates për muajin gusht dhe prandaj nuk janë paraqitur në këtë raport”, thuhet më tej në përgjigjen.

Përveç shpenzimeve të kryetares Caka-Nimani, gazeta ka kërkuar edhe shpenzimet e zëvendësit të saj, Bajram Ljatifi. Si zëvendëskryetar i Gjykatës Kushtetuese, Ljatifi u zgjodh më 17 shtator 2018.

Ljatifi sipas listës së shpenzimeve, del se ka harxhuar 1 mijë e 483 euro për derivate.

I njëjti gjatë këtij viti ka marrë meditje në shumën prej 330 eurove. Ljatifi ka shpenzuar edhe 249 euro për telefon e internet si dhe 88 euro për dreka zyrtare.

Por sipas listës së siguruar nga Insajderi, ai nuk ka pasur shpenzime për udhëtime e akomodim.

x