fbpx

Rrëfehet i riu nga Gjilani që u përjashua nga FSK-ja për një tatuazh: Ishte thënia e Agim Ramadanit

HomeLajmeKosovë

Rrëfehet i riu nga Gjilani që u përjashua nga FSK-ja për një tatuazh: Ishte thënia e Agim Ramadanit

Një i ri nga Gjilani kurrë nuk do ta ishte menduar se ëndrrën e tij për të shërbyer në Ushtrinë e Kosovës, do t’i shkatërronte një tatuazh. Aq më tepër, një tatuazh (thënie) e heroit kombëtar të Kosovës, Agim Ramadani. Pasi rregullat e FSK-së thuhet se nuk e lejojnë tatuazhin, ai u përjashtua nga ushtria pak ditë pas pranimit. “Mu shterrshin sytë nëse pushoj, lirinë tënde me ëndrrue, mallkue qoft gjaku im, nëse m’’vrasin pa luftue”.

Ermelind Kastrati, 24 vjeçar lindi mu në kohën kur Kosova po përgatitej për rezistencë të armatosur, ndaj ushtrisë serbe. Daja i Ermelindit, ishte njëri nga ushtarët e parë të UÇK-së, që e kapi pushkën për të luftuar në zonën e Pashtrikut.

Ermelindi me uniformën e ushtrisë u mishërua qysh i vogël, madje atë e vishnin me rrobat emblematike të UÇK-së.

Përtej dajës së tij, kur Ermelindi u rrit, hero e inspirim e kishte edhe Agim Ramadanin, një luftëtar tjetër qe vinte po ashtu nga Gjilani, e ndër komandantët me emblematik të UÇK-së.

Ermelindi nuk kishte dyshime për të ardhmen e tij, kishte vendosur të bëhej ushtarë, gjersa në krah, kishte përjetësuar duke i bërë tato vargjet e famshme të Agim Ramadanit.

“Mu shterrshin sytë nëse pushoj lirinë tënde me ëndërrue mallkue qoftë gjaku im nëse m’vrasin pa luftue”

Ishin pikërisht këto vargje që Ermelind Kastratin e përjashtuan nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Dje më kanë largu (të premten, 16 shtator). Që dy ditë na kanë lënë anash pak, sepse e pritshin një vendim prej ministrisë. Vendimi u vonua, unë psiqikisht u lodha shumë. Nuk e disha nëse mundem me ndejt, apo po më largojnë.” fillon rrëfimin e tij për gazetën Nacionale, Ermelind Kastrati.

I riu nga Gjilani tregon se me tatuazh ishte pranuar në FSK.

Tatuazhin me vargjet e Katanës, e kam pas edhe gjatë testeve mjekësore në FSK, ata i kanë pa, por nuk më kanë thënë që nuk lejohet, sepse nuk e kam tatunë në një pjesë ku duket shumë

“Prej fëmijërisë, e kam ëndërru këtë moment. Të bëhem ushtarë, sepse daja im ka qenë në UÇK, ka luftu për vendin, në zonën e Pashtrikut. Qysh në vitin 2000, menjëherë pas luftes, mua më kanë veshur me tesha të ushtrisë, dhe ja tash, për një tatu, në një zonë ku nuk më duket me uniformë, më larguan”, thotë ai.

Tutje Kastrati rrëfen momentet, kur atij iu kumtua lajmi se nuk do të jetë më pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai nuk ishte i vetmi. Edhe 12 pjesëtarë tjerë me tatuazhe, u përjashtuan.

“Na kanë marë instruktorat, na kanë thirrë te komandanti i Qendrës së Stërvitjes Bazike, me na e kumtu lajmin. Kena shku aty, kena prit në rend krejt, nja 12 persona”

“Si ka dalë i pari, prej zyres, unë e kam pytë. Hë çka u bo? Në fakt me zë të vogël, e me dorë dhe me kokë, sepse nuk guxojshim me folë. Edhe atë veç e kishin liru prej detyrës dhe më ka bë me duar, duke dashur të më tregoj, se më u kry, na larguan. Kur e pashë që e larguan atë, nuk pata më shpresë, e dija se na larguan të gjithve aty që ishim. U mërzita fortë, më dhimti. I thirra të shpisë, e shoqninë menjëherë, dhe ju tregova, ju thash kështu, kështu, më larguan”, tregon i emocionuar Ermelindi.

Tutje Ermelindi Kastrati ka treguar se janë diku 12 deri në 13 persona, të cilët u larguan për të njejtën arsye.

Por, siç thotë vet Ermelindi, ende nuk kanë pranuar, ndonjë vendim të shkruar.

Unë ende nuk kam vendim me shkrim, që jam larguar. Dua ta kem vendimin. Nuk mund t’i them dikujt se më larguan, vetëm kështu me gojë. Kanë qenë edhe dikun 12 persona të tjerë që i larguan për të njejtën arsye.

“Ka pasur edhe të tillë, që i kanë hequr tatuazhat me seanca, me lasera. Njëri nga ata që e larguan, kishte filluar seancat, gjysmën veqse e kishte fshirë. Ai e rrezikoi jetën, mund t’i dalë ndonjë problem shëndetësor, por përsëri e larguan

Në fund djaloshi nga Anamorava, e ka vetëm një dëshirë.

“Të ndrrohet ky ligj, a rregull. Duhet të ndërrohet. Është malltretim psiqik, t’i perfundosh të gjitha testet, të qëndrosh në akademi për një kohë, dhe për një ditë, të thonë, më nuk je pjesë e ushtrisë. Shumë e rëndë. Mendoj se duhet të ndërrohet ky ligj. Nuk duhet t’ua ndalim ëndrrat djemëve e vajzave të reja në këtë mënyrë.” përfundon rrëfimin e tij Kastrati.

Tatuazhet nuk përmenden askund në ligj

Në fakt, ekziston një akt nënligjor, i cili rregullon “Bartjen e Uniformave Dhe Dukjen Perosnale Të Pjestarëve Të FSK-së”. Aty, në nenin 3 rregullohet “Dukja Personale”

Janë diku rreth 13 udhëzime, se siduhet të duket një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, por në asnjërën prej tyre nuk përmenden tatuazhet.

Meqenëse, gazeta ka provuar të kontaktojë me dikë nga FSK, por ende nuk ka marrë përgjigje, dhe telefoni ka qenë i paçasshëm, ditëve në vijim, do të sjellim informacione të sakta, dhe sigurisht një shpjegim (nëse është e mundur) nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

x