fbpx

“Rikthimi” i Bukoshit – Kjo ishte pyetja që prokurori i Speciales ia kishte bërë ish-kryeministrit për Thaçin

HomeLajmeKosovë

“Rikthimi” i Bukoshit – Kjo ishte pyetja që prokurori i Speciales ia kishte bërë ish-kryeministrit për Thaçin

Ish-kryeministri i Kosovës në mërgim, Bujar Bukoshi, i cili pas luftës iu kthye për një kohë jetës aktive politike, tani është rikthyer me një intervistë së fundmi, në të cilën ka folur për shumë çështje aktuale, përfshirë qeverisjen e Kurtit, dialogun e marrëveshjen e mundshme me Serbinë.

Temë e pashmangshme e kësaj interviste të Bukoshit ishin edhe Dhomat e Specializuara të Prokurorisë dhe Gjykatës në Hagë, shkruan lajmi.net.

Ndër të tjera, Bukoshi ka folur edhe për ish-presidentin Thaçi dhe funksionin e tij në UÇK.

Ish-kryeministri Bukoshi ka thënë se Thaçi ka qenë një njeri me autoritet, mirëpo se nuk ka pasur autoritet dhe fuqi reale që të komandonte çdo gjë që ndodhte brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fakt, Bukoshi thotë se UÇK-ja ishte një reaksion popullor kundër dhunës e shtypjes nga aparati shtetëror gjenocidial i Millosheviqit, dhe si e tillë s’kishte strukturë të qartë udhëheqëse.

“UÇK nuk ishte një grup kriminal dhe ata në të vërtet nuk ishin kontrolluesit apo udhëheqësit e plotpushtetshëm të UÇK-së. USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS ishte një reaksion i shqiptarëve ndaj tejzgjatjes së zgjidhjes paqësore të krizës për ti dhënë fund regjimit të Serbisë naziste në Kosovë. UÇK-në nuk e krijoi as Hashim Thaçi as ata që janë në Hagë. Ata u përpoqën ta organizojnë atë dhe ti japin një mburojë politike . Por UÇK lindte në mënyrë spontane në çdo fshat të Kosovës që digjej, në çdo shtëpi ku ndodhte një krim dhe në çdo qytet që kishte një përballje me dhunën. Edhe ne si qeveria e Kosovës u përpoqëm ta kontrollonim UÇK dhe ta fusnim nën mburojën tonë politike, pa hile, por nuk ja dolëm dot”, citohet të ketë thënë Bukoshi në një intervistë për mediat shqiptare.

Madje jo vetëm Thaçi, por sipas Bukoshit, fuqinë për ta futur nën kontroll Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk e kishte as vet ish-presidenti Ibrahim Rugova.

Bujar Bukoshi ishte intervistuar nga Prokurorët e Speciales, çfarë ishte pyetur ai?

Përveç deklarimeve në media për Specialen, Bukoshi kishte dhënë dëshminë e tij edhe para vet Prokurorisë së Specializuar të Hagës.

Lajmi.net kishte raportuar për një shkresë të avokatit të Thaçit, Gregory Keohe në të cilën ai ankohej për mos-zbulimin e materialit shfajësues nga Prokuroria. Aty, ishte përmendur emri i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi.

Keohe atë kohë ankohej se Prokuroria nuk ka zbuluar asnjë deklaratë apo shënim të intervistës së Bukoshit të dhënë në Speciale.

Ai jepte detaje edhe për atë se çka e kishte pyetur hetuesi, Bukoshin në një moment të caktuar të intervistimit.

“Për më tepër, Prokuroria nuk ka bërë të ditur asnjë deklaratë apo shënime të intervistës së z. Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i LDK-së i Kosovës, të cituar nga Prokuroria në aktakuzën e saj. Mbrojtja është në dijeni se ai është intervistuar nga Prokuroria dhe se intervista e tij ka përfunduar me pyetjen e mëposhtme nga hetuesi i Prokurorisë” “Oh, ju duhet jeni miq me Hashim Thaçin, apo jo?” – Prokuroria me gjasë e konsideroi se dëshmia e tij ishte shfajësuese”, thuhet në shkresën e Keohes.

Avokatët e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përveç dëshmisë së Bujar Bukoshit, akuzonin Prokurorinë se ka fshehur edhe një numër të madh të intervistimeve të zyrtarëve e ish-zyrtarëve ndërkombëtarë që kishin një rol të caktuar gjatë luftës në Kosovë.

Së fundmi, mbrojtja e ish-presidentit Thaçi ka kërkuar nga gjyqtari paraprak që të caktojë një panel që do të marrë në pyetje ish-zyrtarë të lartë të NATO-s e ish-diplomatë që kanë shërbyer në Kosovë gjatë kohës së luftës.

Kjo për shkakun se siç thotë Keohe, të gjithë ata janë në shëndet të ligë dhe në moshë të shtyer, dhe se sipas tij mund të mos jenë gjallë në momentin e nisjes së gjykimit dhe përfundimit të intervistimeve të Prokurorisë. /Lajmi.net